I ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ishte studiuesi Behar Gjoka për të folur rreth mjeshtrit të penës dhe shkrimtarit të madh të letërsisë shqiptare, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë më 1 Korrik.
Si e ke njohur si autor Ismail Kadarenë, cili ka qenë libri i parë që ke lexuar prej tij?
Unë kam lexuar vëllimet me poezi fillimisht, pastaj kënaqësia më e madhe që kam provuar me trashëgiminë letrare të Kadaresë, kanë qenë romanet, që në fakt përbëjnë dhe atë që quhet kulmi i autorit dhe mundësi dhe shans i komunikimit të letrave shqipe me lexuesin e huaj. Njohja ka qenë prej një lexuesi në dy kohë, kur e kam lexuar si student ka qenë ajo pjesa e një mrekullimi ku shpesh edhe në skllavëri gjenim ca rreze që na duheshin, ndonëse atëherë nuk e dinim. Dhe pastaj në këtë kohën e lirisë, që duket si e bukur, por në fakt ka disa elementë skllavërues. Mendoj se leximi në dy-kohësi ka mundësuar që të konfirmojmë këtë gjë; kemi të bëjmë me një mjeshtër të fjalës i cili krijoi hapësirë për letërsinë shqipe për ta njohur në botë.