Art & Kulturë Live From Tirana

Studiuesi Behar Gjoka: “Duhet t’i rikthehemi veprave të Kadaresë…”

I ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ishte studiuesi Behar Gjoka për të folur rreth mjeshtrit të penës dhe shkrimtarit të madh të letërsisë shqiptare, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë më 1 Korrik.

Si jeni njohur me Kadarenë për herë të parë?

Njohja ka qenë prej një lexuesi në dy kohë, kur e kam lexuar si student në kohën e diktaturës. Ishte një mrekulli e vërtetë. Kur lexon Kadarenë, ke të bësh me një mjeshtër të fjalës që bëri të mundur njohjen e letërsisë shqiptare nëpër të gjithë botën.

Para dhe pas viteve ’90, si i ke parë vlerat e tij si studiues?

Në 2008, kam botuar “Kadare i rilexuar” dhe jam përpjekur të mbaj një qëndrim të denjë përsa i përket rivlerësimit, rimmarrjes dhe rikonfirmimit të prozave të tij romanore. Pjesa e parë e krijimtarisë është ajo që më josh më tepër, sepse, siç është thënë dhe nga studiuesit e tjerë, Kadare luajti me diktaturën si macja dhe miu, gjithashtu dhe diktatura me Kadarenë në të njëjtën mënyrë. Duket qartë në veprat e tij, si “Pallati i ëndrrave” që është vepra që do të jetojë më shumë, trashëgimia e tij më e madhe. “Kronikë në gur” është arti më i thelbësor i vendlindjes së Kadaresë. “Prilli i thyer” ku kemi një muze të fjalës së Kanunit dhe vlerat e shqiptarëve. Ka botuar dhe libra të tjerë, por këto vepra janë më të arriturat sepse skalitin kohën, fytyrën dhe tregojnë se si luan dhe çfarë i bën diktatura njeriut dhe shkrimtarit.

Pas shuarjes së shkrimtarit të madh, Behari bën thirrje për t’iu rikthyer atij:

Duhet t’i rikthehemi vlerave të Kadaresë, jo thjesht për ta urryer, rënë dakord me të ose për ta dashur, por për ta kuptuar shkrimin e tij në vetvete, nëntemën dhe vlerat që ajo shpreh dhe dëshiron t’i japë lexuesit.

Cila, sipas teje, është vepra që do të veçoje më shumë?

E kam thënë shpesh dhe do të vazhdoj ta them, “Pallati i ëndrrave”. Është kryevepër e letërsisë shqiptare dhe do të udhëtojë përtej kohës së jetës. E vë individin përballë diçkaje që ka qenë dhe do të jetë me ne në përjetësi, autoritetin dhe pushtetin. Kjo vepër e kalon qiellin shqiptar dhe shkon në atë universal.