Art & Kulturë Live From Tirana

Studiuesi Behar Gjoka: “Duhet të rilexojmë veprat e Kadaresë për të gjetur atë që na mungon…”

I ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ishte studiuesi Behar Gjoka për të folur rreth mjeshtrit të penës dhe shkrimtarit të madh të letërsisë shqiptare, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë më 1 Korrik.

Pas shuarjes së shkrimtarit të madh, Behari bën thirrje për t’iu rikthyer atij:

Në veprat e tij ka herë-herë një situatë paradoksi, herë-herë një situatë humori, herë-herë një situatë serioze. Duke e parë si një dukuri jo të zakontë në letrat shqipe, unë jam qasur me idenë që ka ardhur momenti që ta rilexojmë. Ndonëse unë mendoj që nga ky çast nëse Kadareja e ka fituar betejën së gjalli të shkrimtarit më të veçantë të letërsisë shqipe, beteja me vlerën estetike e lexuesit të Kadaresë, e lexuesit të letërsisë shqipe, e lexuesit të teksteve dhe jo të biografizmit, është momenti që të ndodhë ajo që quhet rikthimi tek tekstet e Kadaresë. Jo për ta dashur, as për ta urryer, por për të lexuar atë që ti kërkon, atë që ty të mungon, atë që në fund ty të vë në mendim…