Një studiues anglez ka zbuluar misterin e vizatimeve që bënin njerëzit nëpër shpella, në Epokën e Akullnajave. Ben Bacon analizoi shenjat që janë bërë në vizatimet e para 20 000 viteve, duke dalë në përfundim se ato shenja mund t’i referohen një kalendari hënor. Kjo do të thotë se evropianët mbanin shënim mbi ciklin e riprodhimit të kafshëve.
Bacon tha se ishte e pabesueshme fakti që më në fund është kuptuar se çfarë po thonin gjahtarët e asaj kohe. Vizatime nëpër shpella të drerëve, peshqve dhe bagëtive janë gjetur nëpër shpella në të gjithë Evropën. Por, arkeologët nuk kishin gjetur ende domethënien e pikave dhe shenjave të tjera që ishin lënë në këto vizatime. Për këtë arsye, Ben Bacon vendosi t’i deshifronte ato. Pas shumë orësh studimi, ai vuri re se “Y”-ja tregonte lindjet, ndërsa pikat përdoreshin për të regjistruar ciklin e riprodhimit të kafshëve të ndryshme.
Me përparimin e kërkimit të tij, ai solli miq dhe akademikë të lartë. Ata e inkurajuan atë që të vazhdonte me hetimet e tij. Ai bashkëpunoi me një ekip që përfshinte dy profesorë nga Universiteti Durham dhe një nga University College London dhe duke përpunuar ciklet e lindjes së kafshëve të ngjashme të ditëve të sotme, ata arritën në përfundimin se numri i shenjave në pikturat e shpellës ishte një rekord, sipas muajit hënor, të stinëve të çiftëzimit të kafshëve.
Gjetjet e ekipit u botuan në Cambridge Archeological Journal. Prof Paul Pettitt, i Universitetit Durham, tha se ishte i kënaqur që e mori seriozisht kur Bacon e kontaktoi atë. “Rezultatet tregojnë se gjuetarët e Epokës së Akullit ishin të parët që përdorën një kalendar sistematik dhe shenja për të regjistruar informacione rreth ngjarjeve të mëdha ekologjike brenda atij kalendari.”
Ai shtoi: “Nga ana tjetër, ne jemi në gjendje të tregojmë se këta njerëz, të cilët lanë një trashëgimi arti spektakolar në shpellat e Lascaux në Francë dhe Altamira në Spanjë, lanë gjithashtu një regjistrim të matjes së hershme të kohës që përfundimisht do të bëhet e zakonshme në mesin e specieve tona.”