Një sondazh i fundit në Milano ka zbuluar shqetësuese mendime të rinjve mbi marrëdhëniet dhe dhunën gjinore. Nga 1,592 adoleshentë të anketuar, një në katër beson se kontrolli ndaj partnerit është një shenjë dashurie, ndërsa një në tre mendojnë se vajzat thonë “jo” kur në fakt nënkuptojnë “po”.
Të dhënat tregojnë se për gjysmën e të rinjve, xhelozia e tepruar interpretohet si interes, jo si dhunë. Rreth 40% e adoleshentëve e konsiderojnë normale kontrollin e fjalëkalimeve të rrjeteve sociale dhe telefonave të partnerëve. Kjo tregon një perceptim të shtrembëruar të dhunës dhe pëlqimit, me 20-25% të të rinjve që nuk e shohin si abuzim veprime si prekja ose ndarja e informacionit intim pa pëlqim.
Sipas Fondacionit Libellula, shumë të rinj nuk e dinë se dërgimi i mesazheve të vazhdueshme dhe përdorimi i gjeolokacionit për të monitoruar partnerin janë forma të përndjekjes. Edhe vendosja e rregullave për veshjen e partnerit ose izolimi nga miqtë përbëjnë normalizim të dhunës, me dy në dhjetë djem dhe një në dhjetë vajza që e përkrahin këtë.
Raporti thekson se këto mendime, edhe pse nuk përfaqësojnë forma të rënda dhune, janë shenja paralajmëruese për abuzime më serioze. Ai kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të identifikuar dhe etiketuar këto sjellje si dhunë apo abuzim, duke theksuar rëndësinë e edukimit në kulturën e pëlqimit dhe respektit në marrëdhënie.