Si lidhet lumturia me shëndetin tonë? Si mundet një person i lumtur të “parandalojë” apo të përballojë me efektivitet çdo problem shëndetësor? Studimi i ri hedh më shumë dritë mbi marrëdhënien e ngushtë midis shëndetit mendor dhe atij fizik. Lumturia dhe shëndeti i mirë janë të lidhura më njëra tjetrën, siç kanë argumentuar prej kohësh shkencëtarët. Lumturia, në fund të fundit, është një reflektim i shëndetit mendor. Një person i lumtur mund të jetë më i shëndetshëm dhe më elastik ndaj rreziqeve të mundshme me të cilat do të përballet.
Në përgjithësi, është identifikuar efekti që mund të ketë lumturia e një personi në shëndetin e tij të mirë. Problemi, megjithatë, qëndron në vështirësinë për të përcaktuar se në cilat raste shëndeti i një organizmi mund t’i atribuohet gjendjes së tij të mirë psikologjike. Ndoshta mund të argumentojmë se njerëzit që kanë një problem shëndetësor e kanë më të vështirë të jenë të lumtur. Ndoshta edhe organizmat e shëndetshëm ndjekin më shumë zakone të mira, të cilat mund të sigurojnë shëndet afatgjatë dhe t’i mbajnë ata larg problemeve. Nga ana tjetër, sigurisht që kur njeriu ndihet i lumtur, e bën të ndihet më i shëndetshëm.
Kjo u mor nga një raport i botuar në Psychological Science nga Kostadin Kushlev, Samantha Heintzelman, Lesley Lutes, Derrick Wirtz, Jacqueline Kanippayoor, Damian Leitner dhe Ed Diener. Ekipi hulumtues mori në studim 155 të rritur. Gjysma e pjesëmarrësve morën pjesë në një program ndërhyrjeje psikologjike pozitive, që zgjati gjithsej 12 javë. Në këtë program, pjesëmarrësve iu mësuan një sërë teknikash se si të përmirësojnë gjendjen e tyre mendore, si meditimi, kultivimi i ndjenjës së mirënjohjes dhe zhvillimi i marrëdhënieve më të mira shoqërore.
Gjatë programit, studiuesit matën nivelet e lumturisë së pjesëmarrësve, duke regjistruar gjithashtu se sa të shëndetshëm ndiheshin. Përveç kësaj, ata vunë në dukje disa të dhëna të tjera, si gjendja e tyre fizike, presioni dhe indeksi i masës trupore. Të njëjtat matje subjektive dhe objektive u përsëritën tre muaj pas përfundimit të programit të psikologjisë pozitive të ndërhyrjes.
Rezultatet ishin ashtu siç pritej. Niveli i lumturisë së personave që morën pjesë në programin e ndërhyrjes u rrit ndjeshëm, në ndryshim nga gjendja psikologjike e personave që ishin në listën e pritjes, e cila nuk kishte ndryshime të dukshme.
Si pas përfundimit të programit, ashtu edhe tre muaj më vonë, personat që morën pjesë në programin e ndërhyrjes ndiheshin më të shëndetshëm dhe kishin më pak probleme shëndetësore në krahasim me ata që nuk morën pjesë në program. Përveç kësaj, u vu re se, ndërsa programi përparonte, rritja e nivelit të lumturisë së pjesëmarrësve çoi në një rritje të ndjenjës së shëndetit dhe në të njëjtën kohë reduktoi ndjenjën e keqardhjes.
Po ashtu nuk u vunë re ndryshime në presionin e gjakut apo indeksin e masës trupore të pjesëmarrësve. Prandaj, është e mundur që rritja e lumturisë thjesht i ka bërë njerëzit të ndihen më mirë. Lumturia mund të ndikojë gjithashtu në aftësinë e trupit për të luftuar sëmundjet. Një tjetër skenar i vërtetuar është se efektet afatgjata të lumturisë në shëndet mund të kenë një shkak tjetër. Më konkretisht, njerëzit më të lumtur mund të jenë më të gatshëm se njerëzit e pakënaqur për të ndjekur zakone të shëndetshme, si ushqimi i mirë dhe ushtrimet fizike, duke qëndruar larg zakoneve të dëmshme, si konsumimi i tepërt i alkoolit dhe pirja e duhanit.