Nëse qenushi juaj fillon të lehë, ju me siguri e dini se çfarë po kërkon. Këtë e kuptoni posaçërisht kur jeni duke ngrënë, sepse edhe qeni mund të jetë i uritur. Ose nëse qeni qëndron vetëm te dera, kjo do të thotë se ai dëshiron të dalë jashtë shtëpisë.
Pra, ekziston një komunikim interesant mes jush dhe qenushit tuaj të cilin e keni ndërtuar përgjatë viteve. Megjithatë një studim sugjeron se gratë janë shumë më të prira t’i kuptojnë kërkesat e mikut më të ngushtë të njeriut. Studimi, i publikuar në revistën ‘Royal Society of Open Science’, ka zbuluar se njerëzit përpiqen të kuptojnë çfarë po mundohet t’u thotë qeni përmes të lehurave, dhe se gratë janë më të “rrjedhshme në gjuhën e qenve sesa burrat”.
Disa kërkime nga Hungaria kanë zbuluar një ngjashmëri të habitshme mes njerëzve dhe qenve pasi të dy mund të qëndrojnë zgjuar natën, duke u shqetësuar dhe duke menduar për stresin e ditës. Një studim i publikuar në revistën shkencore “The Royal Society” tregon se qentë gjithashtu hasin vështirësi në gjumë pas përjetimeve emocionale apo stresuese që kanë pasur gjatë ditës.
Në këtë eksperiment, studiuesit monitoruan aktivitetin e trurit të 16 qenve pas disa ditëve me përvoja pozitive ose negative. Ditët pozitive përfshinin përkëdhelje dhe lojë me top, ndërsa ditët negative përfshinin ndarje nga pronarët ose lidhje për pak kohë. Rezultatet treguan se qentë që përjetuan stres kishin ndryshime të dukshme në gjumë pas një gjumi të shkurtër prej tre orësh. Ata kaluan mesatarisht 20 minuta më shumë në gjumin REM, faza e cila karakterizohet nga ëndrrat e gjalla. Gjithashtu, këta qen u zgjuan më shpejt se ata që kishin pasur ditë të qeta.
Rikujtojmë se, miqtë tuaj katërputrosh i bëjnë mirë shumë shëndetit, posaçërisht personave të moshuar. A e keni ditur që pronarët e qenve më të vjetër se 60 vjeç kanë më pak trigliceride në gjak dhe presion të ulët të gjakut? Kjo përgjithësisht i kontribuon shëndetit të mirë të zemrës dhe sistemit kardiovaskular, tregon një hulumtim i fundit amerikan. Është treguar se si ndër pronarët e qenve ka më pak sulme të zemrës se sa ndër njerëzit të cilët jetojnë të vetëm. Krahas kësaj, pronarët e qenve të cilët pësojnë sulm në zemër, shërohen shumë më shpejt dhe jetojnë më gjatë.