Lifestyle

Studimi alarmant, mbipesha tek fëmijët ndikon në zhvillimin e depresionit gjatë viteve!

Mbipesha në moshën e adoleshencës së hershme, konsiderohet të ketë ndikim më të madh në zhvillimin e depresionit më vonë gjatë jetës. Të kuptuarit e marrëdhënies midis çrregullimit mendor dhe peshës në adoleshencë, është thelbësor për të ofruar mbështetje në kohë aty ku është e nevojshme.

Studimi i realizuar në King’s College në Londër, të cilit i referohet artikulli nga Daily Mail, ka treguar lidhjen e drejtpërdrejtë midis një indeksi të masës trupore (BMI) më të lartë në moshën e adoleshencës së hershme dhe simptomat e depresionit në jetën e mëvonshme. Për rezultatet e këtij studimi, King’s College London analizoi të dhënat nga më shumë se 10.000 binjakë në Studimin e Zhvillimit të Hershëm të Binjakëve dhe Regjistrin e Binjakëve për të Rritur në Mbretërinë e Bashkuar.

Ata analizuan lidhjen midis indeksit të masës trupore (BMI) dhe depresionit në moshat 12, 16 dhe 21 vjeç. Duke u bazuar në këtë studim, është e qartë se adoleshenca e hershme është një pikë kritike për zhvillimin e simptomave depresive të lidhura me kilogramët e tepërt.

Ekspertët këshillojnë që fokusimi në fushën e perceptimit të bukurisë fizike te adoleshentët, është e një rëndësie të madhe. Kjo nënkupton që koncepti i bukurisë fizike duhet të ripërcaktohet për të rinjtë dhe përqendrimi kryesor duhet të jetë në gjendjen psikologjike të fëmijës.