Vetmia mund t’ju japë makthe, sugjeron një studim i fundit. Shkencëtarët amerikanë zbuluan se njerëzit që ndihen të vetmuar përjetojnë më shpesh dhe me intensitet më të madh makthe gjatë gjumit, ndoshta për shkak të stresit që shkaktohet nga mungesa e lidhjeve të forta sociale dhe emocionale. Në një analizë të të dhënave nga 827 pjesëmarrës, studiuesit gjetën një lidhje midis vetmisë dhe frekuencës së maktheve.
Në një grup të dytë me 782 pjesëmarrës, ata zbuluan se vetmia ndikon edhe në intensitetin e maktheve. Studimi mbështet teorinë se vetmia tek njerëzit sinjalizon mungesën e mbështetjes dhe suportit social, një nevojë që mesa duket është thelbësore për specien tonë. Kur mungojnë marrëdhëniet e forta, individët vuajnë fizikisht, mendërisht dhe në aspektin social, gjë që mund të çojë në më shumë stres dhe më shumë makthe.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur vetminë një kërcënim urgjent për shëndetin global, ndërsa një kirurg amerikan ka thënë se efektet e saj në vdekshmëri janë të barabarta me pirjen e 15 cigareve në ditë. OBSH krijoi një komision ndërkombëtar, të udhëhequr nga kirurgu kryesor i SHBA-ve, Dr Vivek Murthy dhe i dërguari i Rinisë së Bashkimit Afrikan, Chido Mpemba. Ngritja e komisionit vjen, pasi pandemia COVID-19 ndaloi aktivitetet ekonomike dhe sociale, rriti nivelin e vetmisë, por edhe shtoi ndërgjegjësimin për rëndësinë e problemit.
Njerëzit që nuk i shohin miqtë ose familjen e tyre kanë 77% më shumë gjasa të vdesin më herët, madje edhe vizitat mujore mund të bëjnë një ndryshim të madh. Njerëzit duhet të vizitojnë të dashurit e tyre të paktën një herë në muaj për të parandaluar vetminë dhe për të zvogëluar rrezikun e vdekjes së parakohshme, sipas një studimi të ri. Akademikët nga Universiteti i Glasgow përdorën të dhëna nga Biobank i MB, një studim afatgjatë që gjurmon shëndetin dhe gjenetikën e të rriturve në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.