Lifestyle

Studim/ Sa vite të jetës sonë i shpenzojmë duke ndenjur në telefon?

Shumë prej nesh mund ta pranojmë se shpenzojnë shumë kohë me telefon. Por një studim i publikuar së fundmi përcaktoi kohën që ne kalojmë përpara ekraneve të këtyre pajisjeve teknologjike. Sipas raportit të faqes së krahasimit të smartphoneve ‘WhistleOut’, një qytetar mesatar kalon gati 9 vite të jetës së tij në telefon.

Nuk është për t’u habitur që të lindurit e këtij shekulli shpenzojnë kohën më të madhe në telefonat e tyre, duke i kushtuar rreth 3.7 orë të ditës qëndrimit para ekraneve. Moshat më të mëdha shpenzojnë rreth tre orë në ditë para telefonit ndërsa të moshuarit rreth 2.5 orë. Ndërsa pandemia e koronavirusit i ka mbajtur njerëzit më shumë në shtëpi dhe ka nxitur ndërveprimet në internet, kjo ka bërë që popullsia të shpenzojë më shumë kohë në telefon dhe laptop.

Por varësia nga teknologjia është një problem që po vazhdon prej kohësh, veçanërisht pasi telefonat janë bërë një komponent i rëndësishëm i jetës sonë. Gjithashtu nuk ndihmon fakti që sondazhet kanë zbuluar se shkurtimi i kohës para ekranit shpesh nuk e frenon varësinë ndaj telefonit. Megjithatë, kompanitë e teknologjisë duke përfshirë Google, Apple dhe Facebook kanë lançuar mjete për t’i ndihmuar njerëzit të monitorojnë kohën e tyre para ekranit.

Dokumentari i Netflix, ‘The Social Dilema’, ndezi biseda rreth ndikimit të mediave sociale në jetën tonë dhe shëndetin mendor, pasi përshkruan se si kompanitë e teknologjisë na bëjnë të përdorim produktet e tyre që të na lidhin me ato shërbime.

Së fundmi, shefi i Instagramit, Adam Mossari ka konfirmuar se platforma po teston opsionin e shumëpritur “Pushoni pak”. Ky është një opsion që do t’iu kujtojë përdoruesve se po kalojnë shumë kohë duke përdorur rrjetin social.

Opsioni është menduar pikërisht për atë që mund të supozoni. Nëse e aktivizoni, do t’ju inkurajojë të bëni një pushim nga Instagrami pasi të keni kaluar pak kohë duke përdorur aplikacionin, 10, 20 ose 30 minuta. Opsioni është pjesë e një përpjekjeje më të madhe për t’u dhënë njerëzve më shumë kontroll në Instagram. Përfundimisht do të dini se çfarë është më e mira për ju kur bëhet fjalë për mënyrën se si e përdorni aplikacionin.