Lifestyle

Studim i ri/Praktikimi i mirënjohjes mund t’ju ndihmojë të jetoni më gjatë!

Studimet e fundit tregojnë se mirënjohja ka një ndikim shumë më të madh sesa thjesht përmirësimi i humorit tonë. Një studim i publikuar nga Harvard në shtator 2024 thekson rëndësinë e mirënjohjes, jo vetëm për shëndetin mendor, por edhe për mirëqenien fizike dhe jetëgjatësinë. Hulumtimet e fundit tregojnë se mirënjohja sjell një sërë efektesh pozitive për shëndetin, duke përfshirë mirëqenien emocionale dhe shoqërore, rrezik më të ulët të depresionit dhe mund të jetë kontribuues i favorshëm për shëndetin kardiovaskular.

Të dhëna të reja nga “Nurses Health Study” tregojnë se mirënjohja mund të zgjasë jetën. “Mirënjohja ka qenë një nga aktivitetet më të studiuara që kontribuon në mirëqenie, por nuk mundëm të gjenim asnjë studim të mëparshëm që të shqyrtonte efektet e saj mbi vdekshmërinë dhe jetëgjatësinë, për çudi,”-thotë VanderWeele, bashkëautor i kërkimit të ri. I publikuar në korrik 2024 në “JAMA Psychiatry”, studimi i ri u bazua në të dhëna nga 49,275 gra të regjistruara në “Nurses Health Study”. Mosha mesatare e tyre ishte 79 vjeçe.

Në vitin 2016, pjesëmarrëset plotësuan një pyetësor me gjashtë pyetje mbi mirënjohjen, ku renditën pëlqimin e tyre me deklarata të tilla si: “Kam kaq shumë në jetë për të cilat jam mirënjohëse” dhe “Nëse do të duhej të rendisja gjithçka për të cilën ndihem mirënjohëse, lista do të ishte shumë e gjatë.” Katër vjet më vonë, studiuesit shqyrtuan të dhënat mjekësore të pjesëmarrëseve për të përcaktuar se kush kishte ndërruar jetë. Kishte 4,608 vdekje nga të gjitha shkaqet, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, kancerin, sëmundjet respiratore, sëmundjet neurodegjenerative, infeksionet dhe dëmtimet.

Pjesëmarrëset me pikët më të larta të mirënjohjes kishin 9% më pak rrezik për të ndërruar jetë gjatë katër viteve të ardhshme, në krahasim me ato që kishin pikët më të ulëta. Kjo nuk ndryshoi pasi u morën parasysh gjendja fizike, rrethanat ekonomike dhe aspekte të tjera të shëndetit mendor dhe mirëqenies.“Zvogëlimi prej 9% në rrezikun e vdekshmërisë është domethënës, por jo i jashtëzakonshëm,”-thotë VanderWeele. “Ajo që është e jashtëzakonshme te mirënjohja është që kushdo mund ta praktikojë atë. Kushdo mund të vërejë atë që ka rreth vetes dhe të shprehë mirënjohje për atë që është e mirë në jetën e tij”-shton ai. Ndërkohë që studimi nuk arriti të përcaktojë saktësisht pse mirënjohja lidhet me jetëgjatësinë, VanderWeele beson se disa faktorë mund të kontribuojnë.

“Dimë që mirënjohja bën që njerëzit të ndihen më të lumtur. Kjo, në vetvete, ka një efekt sado të vogël mbi rrezikun e vdekshmërisë,”-thotë ai. “Praktikimi i mirënjohjes mund të bëjë gjithashtu që dikush të jetë më i motivuar për t’u kujdesur për shëndetin e vet. Ndoshta individët që praktikojnë mirënjohjen kanë më shumë gjasa të paraqiten në vizita mjekësore ose të ushtrohen. Mirënjohja mund të ndihmojë gjithashtu në marrëdhënie dhe mbështetje sociale, që dimë se kontribuojnë në shëndet”-shton më tej. Mirënjohja nuk është vetëm një ndjenjë kalimtare, por një praktikë që mund të ndryshojë rrënjësisht shëndetin dhe jetën tuaj.