Bota

Studim i ri/Mbi 300 milionë fëmijë përballen me abuzim seksual në internet çdo vit!

Më shumë se 300 milionë fëmijë në vit janë viktima të abuzimit dhe shfrytëzimit seksual në internet. Në këtë përfundim ka dalë një studim i ri që vlerëson shkallën globale të krizës. Studiuesit në Universitetin e Edinburgut zbuluan se një në tetë, ose 12.6% e fëmijëve në botë kanë qenë viktima të të folurit, ndarjes dhe ekspozimit ndaj imazheve seksuale dhe videove jo-konsensuale vitin e kaluar. Kjo arrin në rreth 302 milionë të rinj.

Për më tepër, 12.5% e fëmijëve në mbarë botën 300 milionë vlerësohet të kenë qenë subjekt gjatë vitit të kaluar ndaj nxitjeve në internet, të tilla si biseda seksuale të padëshiruara, duke përfshirë kërkesat për akte seksuale. Veprat penale mund të marrin edhe formën e shantazhit, ku abuzuesit kërkojnë para nga viktimat për t’i mbajtur imazhet private.

Rikujtojmë se Meta do të prezantojë një mjet të ri sigurie për të ndaluar fëmijët të pranojë fotografi nudo dhe për të dekurajuar ata të dërgojnë të tilla. Bëhet e ditur se funksioni i ri i mbrojtjes do të turbullojë imazhet me përmbajtje të ndaluara dhe do t’i shtyjë përdoruesit të mendojnë përpara se të dërgojnë të tilla foto. Ky funksion do të aktivizohet si parazgjedhje për përdoruesit që janë nën 18 vjeç dhe do t’u shfaqet edhe të rriturve për t’i inkurajuar ta aktivizojnë atë.

Në fillim të këtij viti, policia e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se fëmijët që dërgonin imazhe nudo kishin kontribuar në rritjen e numrit të veprave seksuale të kryera nga fëmijët në Angli dhe Uells. Gjithashtu, ka edhe shumë raste shantazhimi kur fëmijët kërcënohen se imazhet e tyre do t’i dërgohen familjes ose të publikohen në rrjete sociale nëse nuk paguajnë para. Të marrësh, të bësh dhe të shpërndash një imazh të tillë të një fëmije nën 18 vjeç konsiderohet krim.