Aktualitet Sociale

Studentët e Mjekësisë, Gjonaj: Ja rasti kur mjeku trajtohet me 80% të pagës

Etilda Gjonaj, deputete e PS-së, ka shpjeguar në Kuvend ndryshimet në ligjin për trajtimin e veçantë të studentëve të Mjekësisë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Këto ndryshime adresojnë një nga sfidat më të mëdha që kemi përballë: mungesën e mjekëve, sidomos në zonat e izoluara dhe të largëta. Duke ofruar ndihmë financiare dhe incentivuar mjekët për të shërbyer në këto zona, për të siguruar që çdo qytetar, në çdo skaj të Shqipërisë, të ketë kujdesin shëndetësor që meriton.

Duke i dhënë mjekëve të ardhshëm më shumë mundësi për të avancuar në fusha të ndryshme të mjekësisë, në plane afatgjata do të rritet kapaciteti i përgjithshëm i sistemit tonë shëndetësor në të gjitha nivelet, nga niveli parësor deri tek ai spitalor.

Pra më shumë mjekë të kualifikuar, infrastrukturë e përmirësuar, pajisje të reja, mjedise të përparuara për të ndërtuar një sistem shëndetësie, që do të garantojë standardet më të larta”, deklaroi Gjonaj.

Ajo tha se Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka përcaktuar dy momente, të cilat i ka konsideruar se duhet të rishikohet për të cilat ne kemi reflektuar ekzaktësisht me ndryshimet në projektligj.

Në vijim, deputetja socialiste tha se  “kemi propozuar në nenin 3 të këtij projektligji ndryshimin e nenit 6 të ligjit 60/2023, ku është përcaktuar se për studentin që përfundon studimet në institucionet publike të arsimit të lartë dhe ka nënshkruar marrëveshje sipas ligjit, fillimisht ndiqen procedurat për t’u punësuar në institucionet shëndetësore sipas nevojave në bazë të renditjes sipas notës mesatare të përfundimit të studimeve”.

“Nëse brenda 3 muajsh ministria nuk i punëson dot për arsye objektive dhe për shkaqe që nuk varen nga mjeku, mjekët kanë të drejtë të punësohen në institucionet shëndetësore private.

Në kushtet kur ai ndodhet në pamundësi punësimi edhe në institucionet shëndetësore publike mjeku trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, ose mund të zgjedhin të punësohen në sektorin privat. Në çdo rast, ata kanë të drejtën për një punësim prioritar brenda 9 muajsh në institucionet publike”, tha ajo.