Aktualitet Sociale

Strehimi, buxheti vijoi të paguajë interesat e kredive për mbi 5600 familje!

Shteti shqiptar ka vijuar që të paguajë interesat për kredi të buta të dhëna për blerje banese për 5 mijë e 644 familje. Kjo në një vlerë prej 45.9 milion lekësh. Raporti i mesvitit i Buxhetit 2024 dhe i publikuar pak kohë më parë nga Ministria e Financave, tregon se kreditë e reja të përfituara me interes të subvencionuar ishin të dedikuara për 104 familje, me një vlerë 13 milion lekë deri në fund të muajit prill sipas shifrave të fundit të raportuara.

Konkretisht, programi “Strehimi” që menaxhohet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) e që ndalet si te banesat e blera me kredi që iu subvencionohet interesi dhe banesat sociale me qira, ka disa tregues të raportuar.

Programi “Strehimi” ka si objektiv të sigurojë strehim të përshtatshëm e të përballueshëm për individë e familje që nuk përballojnë dot kostot e tregut të banesave. Sa i takon realizimit të 4M 2024 mund të rendisim sa më poshtë: 5 644 familje kanë përfituar nga subvencionimi i interesave për kreditë ekzistuese, në vlerën 45.9 milion lekë.

104 familje kanë përfituar subvencionim të interesave për kredi të reja me vlerën 13 milion lekë. Rreth 315 familje kanë përfituar subvencionim të qirasë në tregun e lirë sipas ligjit nr.22/2018, i ndryshuar me një vlerë prej 10.4 milion lekësh.  Po kështu, 120 familje kanë përfituar subvencionim për shpronësimin nga ndërtimi i Unazës së Madhe, me një kosto prej 7.2 milion lekësh.

Në muajin korrik të këtij viti MEKI njoftoi hapjen e aplikimeve për 300 punonjës të administratës që do të trajtohen me kredi të lehtësuar me interes “0”. Aplikimet u mbyllën në datën 14 gusht. Sipas burimeve të ministrisë, kushti për aplikantët ka qenë që të ishin të punësuar në institucionet e administratës publike sipas kategorive: Ministria e Brendshme e Ministria e Mbrojtjes; Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; Ministria e Arsimit dhe Sportit; Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social;e Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”.

Edhe në këtë rast, aplikimi u bë përmes portalit e-Albania e ku personat e interesuar duhej të plotësonin një seri të dhënash në një formular të gatshëm. Pas dërgimit dhe mbylljes së aplikimeve, tashmë mbetet në dorën e institucioneve për të miratuar listat përkatëse të përfituesve./Monitor