Aktualitet

Strategjia e re Kundër Korrupsionit 2024-2030/Pirdeni: Shtrirje e edukimit antikorrupsion!

Përpara 30 institucioneve shtetërore, ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni prezantoi draftin për Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030 duke hapur një seri Konsultimesh Publike që do të vijojnë me grupe të ndryshme interesi, ditët në vijim.

Qëllimi i Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030 është që përmes një qasjeje të trefishtë të bazuar në parandalim, ndëshkim e ndërgjegjësim, të adresojë sfidat kryesore të luftës kundër korrupsionit. Kjo strategji ka në fokus të veçantë sektorët vulnerabël ndaj korrupsionit, përfshirë prona, shëndetësi, tatime, dogana e arsim.

Synimi është të ofrojë një kuadër të përmirësuar ndjeshëm të koordinimit të të gjithë institucioneve përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit. Për herë të parë, Strategjia shtrihet e zbatohet edhe ndaj institucioneve të qeverisjes vendore e në fokus ka edhe promovimin e integritetit në sektorin privat. Krahas, vëmendjes së shtuar të edukimit me etikën dhe integritetin me të gjithë zyrtarët publik, ky dokument synon rishikimin e të gjithë kurrikulës së arsimit parauniversitar, me qëllim edukimin me kulturën e integritetin që në moshë të hershme te fëmijët dhe të rinjtë.

Të gjitha këto masa janë tërësisht të linjëzuara me Agjendën e Shqipërisë 2030, si dhe adresojnë zotimet që burojnë nga procesi i negociatave me Bashkimin Europian për institucione më solide e që dita-ditës krijojnë rezistencë të shtuar ndaj çdo cënimi të integritetit.

Ndërsa renditi risitë që sjell Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030, Pirdeni u shpreh se miratimi i saj Strategjie do të garantojë vijueshmërinë e ndërhyrjes me masa sistemike për një vend pa korrupsion dhe një shoqëri në të cilën vlerat si integriteti, transparenca dhe përgjegjësia udhëheqin veprimet e qytetarëve dhe performancën e institucioneve.

Po ashtu, në SNKK 2024-2030 janë evidentuar sektorët më të riskuar ndaj të cilëve do të kërkohet llogaridhënie më e madhe dhe transparencë e plotë në kryerjen e detyrave nga institucionet. Ato janë: pronat, tatimet dhe doganat, shëndetësia, kontratat publike (prokurimet dhe koncensionet) dhe arsimi.

Ministrja Pirdeni bëri me dije se gjatë vitit 2024 do të nisë një vlerësim dhe do të adresohen gjithë risqet e korrupsionit në sektorin e Pronave dhe Prokurimit Publik. Po ashtu, Pirdeni shtoi se në bazë të problemeve të identifikuara dhe sfidave të paraqitura, janë propozuara masat, mjetet dhe metodat e parandalimit e luftimit të korrupsionit në vendin tonë.

Pirdeni falënderoi delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, që ka asistuar në procesin e hartimit të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030 nëpërmjet projektit EU4GG Good Governance, si një partner i gjendur i qeverisë shqiptare për të çuar përpara agjendën europiane.

Diskutimet e hapura për Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030 do të zhvillohen gjatë kësaj jave me përfaqësues të bizneseve dhe me dhomat e tregtisë, me përfaqësues të medias, shoqërisë civile e akademikë, si dhe do të ketë diskutime me përfaqësues të vetëqeverisjes vendore.