Strategjia për çështjet e prapambetura hetimore, ka mbledhur në një aktivitet zyrtarë të lartë të qeverisë, krerët e drejtësisë së re dhe ambasadorë për të hartuar një zgjidhje që do t’i japë fund kësaj problematike dhjetëra vjeçare.
I Ngarkuari me Punë i ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, David Wisner, tha se strategjia e KLGJ-së për uljen e dosjeve të prapambetura në gjykata, është për t’u vlerësuar.
Në fjalën e tij, Ëisner theksoi se kjo strategji do t’u vijë në ndihmë qytetarëve. Sipas diplomatit amerikan, stoku i dosjeve në drejtësi është vonesë e drejtësisë për qytetarët, e tashmë ka ardhur momenti që të merren vendime për të adresuar këtë problematikë.
I Ngarkuari me Punë i ambasadës amerikane shprehu mbështetjen e SHBA-së në këtë aspekt.
“Ju keni punë të vështirë dhe keni bërë punë fantastike, por tani mbetet më shumë punë për të bërë. Në thelb të demokracisë, e cila ofron diçka për njerëzit, është angazhimi që ka për njerëzit. Kur flasim për çështjet gjyqësore të prapambetura, numri i çështjeve është vonesë e drejtësisë për qytetarët e zakonshëm. Kjo strategji që zhvilloni është angazhim për nevojat e qytetarëve. Zgjedhjet tuaja e vendosin sistemin e drejtësisë në themelet të forta. Është për t’u theksuar që disa prej hapave që keni ndërmarrë për të përmirësuar situatën, kanë qenë të dhimbshme. Sepse Vettingu shkaktoi ndërprerje të punës, por ishte i domosdoshëm. Tani është koha për hapa të ndërlikuar, por të guximshëm”, – tha Wisner.
Në aktivitetin e sotëm ku u prezantua kjo strategji, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, vlerësoi se ky është një lajm i mirë për qytetarët që presin vendimet e gjykatave për çështjet e tyre, por njëkohësisht është pozitive edhe për klimën e biznesit.
“Strategjia që prezantohet sot hyn drejt e në zemër të problematikës më të madhe që ka sot, që është stoku i dosjeve të pagjykuara që presin me vite verdiktin e drejtësisë së re. Si ministër Drejtësie, ndihem mirë që vetë KLGJ si qeveri e drejtësisë na bëri sot bashkë të gjithëve aktorët e drejtësisë, përfaqësues të Parlamentit, ekzekutivit, partnerët tanë ndërkombëtarë, që të bashkëndajmë e të marrin përgjegjësitë që na takojnë në zbatimin e kësaj strategjie por mbi të gjitha për qytetarët që presin që çështjet e tyre të gjykohen”.
Sipas Manjës, “ulja e numrit të çështjeve të prapambetur do rrisë besimin e qytetarëve te institucionet tona të drejtësisë. Do ndihmojë edhe në përmirësimin e klimës së biznesit. Zbatimi i kësaj strategjie kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve. Qeveria është e përkushtuar të ofrojë mbështetjen e saj”.
Ndërsa kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami është shprehur se institucioni që drejton ka ardhur me një produkt që synon adresimin e çështjeve të prapambetura në gjykatat e vendit.
Gjatë fjalës së saj, Llagami i ka bërë kërkesë për bashkëpunim çdo gjyqtari, por edhe qeverisë dhe Kuvendit për t’i dhënë sistemit atë që i është premtuar popullit për Reformën në Drejtësi.
“Strategjia e paraqitur për mbështetje dhe që synon uljen e stokut nëpër gjykata, është hartuar e konsultuar. Jemi të vetëdijshëm që backlogu, pengesë reale që qytetarët të marrin drejtësi brenda afateve. Lidhet me respektin e të drejtave të njeriut dhe me besimin që jo vetëm tek drejtësia, por edhe te shteti i së drejtës. Backlogu, problem kronik. Nevoja që sot të ngrihemi mbi interesat personale. Sot është koha për veprim”, – u shpreh Llagami.