Aktualitet Politikë

Strasburg, Vokshi: Informuam për arrestimin pa fakte e prova të Berishës!

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, me sekretarin e Përgjithshëm, Flamur Noka dhe nënkryetarin Agron Gjekmarkaj dha detaje në lidhje me takimet që kanë zhvilluar në tre ditët e fundit në Parlamentin Europian, në Strasburg. Vokshi u shpreh se ata i kanë informuar europarlamentarët për atë që e quajti “sulm i paprecedentë ndaj opozitës nga ana e pushtetit, duke përdorur dhe prokurorinë”, siç u shpreh “me qëllimin e vetëm shkatërrimin e saj”.

Më tej, Vokshi shtoi se “informuan eurodeputetët edhe për arrestimin pa fakte e prova të liderit të demokratëve, Sali Berisha”, duke theksuar se “u ndalua qëllimisht, për të dëmtuar Partinë Demokratike”.

U ndalëm gjatë në atë që ditët e fundit është vërejtur akoma më shumë, edhe sulmin e qëllimshëm ndaj opozitës, për fat të keq duke përdorur edhe drejtësinë, që po përdoret politikisht nga ana e Edi Ramës dhe maxhorancës, për të sulmuar e persekutuar opozitën.

U ndalëm në sulmin e paprecedentë ndaj opozitës me qëllimin e vetëm shkatërrimin e saj, para zgjedhjeve parlamentare. Jemi vetëm 5 muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe ne informuam të gjithë miqtë tanë e personalitetet që takuam në lidhje me lidershipin e të gjitha partive të opozitës që ose është në arrest shtëpie, ose në arrest me burg, ose kërcënohet me çështje të ndryshme në gjykata.

Informuam gjerësisht për arrestimin politik të liderit të opozitës, Sali Berisha, i cili për pjesën më të madhe të vitit ka qenë, pa akuzë, pa fakte, pa dëshmitarë. Pra, qëllimshëm për të dëmtuar PD-në, për të hyrë në zgjedhje pa lidershipin e saj.

Informuam edhe për kolegun tonë, Ervin Salianji, i cili ndodhet në burg vetëm për faktin se guxoi të denonconte ish-ministrin e Brendshëm që fshihte vëllain e tij që ishte dënuar e duhej të vuante dënimin prej 7 vitesh në Itali. Gjithashtu, informuam, treguam rreth rrëmbimit në mes të ditës të ish-presidentit, ish-kryeministrit dhe ish-kryeparlamentit, Ilir Meta.

Pamjet ishin shokuese, nuk mund të ndodhë një pamje e tillë, për një ish-president në një vend që pretendon të ketë demokraci funksionale.

Morëm mbështetje të pakufizuar për kërkesat tona, vuri në dukje Albana Vokshi teksa foli për mediat në Strasburg.