Ukraina mund të triumfojë në betejën e saj për t’i zmbrapsur forcat ruse me “mbështetjen e fuqishme” të aleatëve të vet, tha shefi i NATO-s Jens Stoltenberg të enjten në Pragë, ku janë mbledhur ministrat e Jashtëm të 32 vendeve anëtare të aleancës ushtarake për të biseduar për kornizën e ndihmës së re ushtarake për Kievin.
Në takimin e NATO-s në kryeqytetin çek, në të cilin po merr pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të diskutohet për një paketë të ndihmës për Ukrainën, e cila do të paraqitet në samitin e NATO-s në Uashington në korrik.
Duke folur para takimit më 30 maj, Stoltenberg tha se tani është koha që vendet, të cilat e furnizojnë Kievin me ndihmë ushtarake, të bisedojnë për kufizimet që ia kanë vënë Ukrainës para më shumë se dy vjetëve, kur Moska e nisi pushtimin e plotë të saj.
Në muajt e fundit, Rusia ka kryer sulme të pareshtura ajrore dhe tokësore kundër Ukrainës, e cila po përballet me mungesë municioni.
Kievi i është lutur aleatëve ta përshpejtojnë dërgimin e municionit, si dhe ka kërkuar që t’i lejohet të përdorë armë me rreze të gjata veprimi – pasi e ka të kufizuar përdorimin e tyre brenda territorit të Rusisë.
“Aleatët po i dërgojnë Ukrainës ndihma të ndryshme ushtarake, ndërsa disa prej tyre kanë vendosur kufizime për përdorimin e këtyre armëve…Këto janë vendime nacionale”, tha Stoltenberg.
“Por mendoj se, për shkak të mënyrës se si është zhvilluar kjo luftë… ka ardhur koha të shqyrtohen disa prej këtyre kufizimeve, për t’ua mundësuar ukrainasve ta mbrojnë veten vërtet”, tha Stoltenberg gjatë fjalimit në Pragë.
Blinken, i cili mbërriti në Pragë pas një vizite në Moldavi, mbajti menjëherë bisedime me homologun e vet çek, Jan Liptovsky, për çështjen e luftimit të dezinfomatave ruse.
Kryediplomati amerikan e quajti “helm” përdorimin e dezinfomatave dhe keqinformatave nga Moska dhe e nënshkroi një marrëveshje me zyrtarët çekë për t’i luftuar ato.
Gjatë takimit në Pragë ka gjasa të bisedohet për ta lejuar apo jo Kievin t’i përdorë armët, me të cilat e furnizon Perëndimi, për t’i goditur caqet brenda Rusisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania e kanë kundërshtuar një qëndrim të tillë, derisa Britania e Madhe dhe Franca kanë thënë se Ukraina ka të drejtë t’i përdorë armët e tyre për të sulmuar brenda Rusisë.
Stoltenberg dhe shefi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, janë për përdorimin e armëve perëndimore nga Ukraina për t’i goditur caqet ushtarake në territorin rus në kushte të caktuara.
Në ditën e takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, Rusia kreu sulme të mëdha ndaj infrastrukturës ushtarake dhe civile në nëntë rajone ukrainase, duke shkaktuar viktima dhe dëme.
Në qytetin verilindor Harkiv, raketat ruse goditën dy lokacione, duke i plagosur shtatë njerëz, prej tyre gjashtë gra, tha guvernatori rajonal Oleh Synyehubov.