Bota

Stoltenberg shpreson se Ukraina do t’i bashkohet NATO-s brenda 10 viteve!

Shefi në largim i NATO-s, Jens Stoltenberg vuri në dukje se shpreson se Ukraina do të mund t’i bashkohet aleancës ushtarake brenda dhjetë viteve të ardhshme.

Unë vërtet shpresoj se Ukraina do të bëhet aleate, tha Stoltenberg duke iu përgjigjur pyetjes për zgjerimin e mundshëm të NATO-s në dekadën e ardhshme.

Po ashtu iu bëri thirrje aleatëve të NATO-s që ta furnizojnë Ukrainën me më shumë armë e municione për ta ndihmuar të mposhtë pushtuesin rus.

Sa më e madhe që të jetë mbështetja, aq më shpejt do të përfundojë lufta, theksoi Stoltenberg.

Stoltenberg, të cilit i mbaron mandati më 1 tetor, i bëri këto komente në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA dhe kjo intervistë u publikua ditën e sotme. Liderët e NATO-s do të takohen javën e ardhshme në Uashington për të festuar 75-vjetorin e themelimit të Aleancës, ku pritet të njoftojnë mbështetjen e re për Ukrainën.

Kievi zyrtar është duke trokitur në dyert e NATO-s që prej vitit 2008, kur iu premtua se një ditë, Ukraina do të mund të jetë anëtare.

Kohë më parë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky pati thënë se Kievi duhet të marrë ftesë për t’iu bashkuar NATO-s në samitin e Uashingtonit, pasi dështoi të kishte një ftesë të tillë në samitin e 2023-ës në Vilnius, pavarësisht lobimit.

Një prej gjërave kryesore që pritet të bjerë në sy gjatë këtij samiti është formulimi në deklaratën përfundimtare në lidhje me gjasat e Ukrainës për anëtarësim në NATO.

Përpilimi i këtij dokument, i cili zakonisht përbëhet nga disa faqe, është duke ndodhur tashmë prej disa javësh në zyrat qendrore të NATO-s në Bruksel. Por, mospajtimet kryesore kanë të bëjnë me mënyrën e saktë të përshkrimit të gjasave të Ukrainës për t’iu bashkuar Aleancës.

Ukraina nuk do të marrë ftesë për t’iu bashkuar NATO-s dhe kjo është shumë e qartë, tani. NATO ka qenë e prerë se Ukraina nuk mund t’i bashkohet asaj për aq kohë sa lufta është duke vazhduar sepse vendet anëtare nuk duan të zhyten në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë.