Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO shtyu për më 10 qershor seancën paraprake për dosjen e koncesionit të Sterilizimit e ku mes të akuzuarve është edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
E parashikuar për sot, seanca paraprake në ngarkim të 9 të dyshuarve u shty për shkak të mungesës së avokatit Klodian Skënderi. Togat e zeza duke parë mungesën e avokatit, gjykuan pamundësinë e zhvillimit të seancës dhe vijimin e punimeve në datën 10 qershor.
Dosja hetimore për koncesionin e Sterilizimit u depozitua në GJKKO më 30 mars të këtij viti kur Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbylli hetimet, duke vendosur nën akuzë 9 vetë.
Në përfundim të hetimit 3-vjeçar për koncesionin e Sterilizimit, SPAK-u ka ngritur akuza për 9 të pandehur, dy prej të cilëve po hetohen nën masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Mes të akuzuarve është dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i akuzuar për “Shpërdorim detyre” e nën hetim në masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje”. Për këtë çështje, ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj, akuzohet për tre vepra penale: “Mashtrim”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim të dokumenteve”. Ish-numri dy i Ministrisë së Shëndetësisë vijon nën masën e sigurisë “Arrest me burg”, ashtu si dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.
Skeda e akuzave ndaj të pandehurve të dosjes së “Sterilizimit”
– Ilir Beqaj, “Shpërdorim detyre”;
– Klodian Rjepaj, i akuzuar për “Mashtrim”, “Falsifikim të dokumenteve” e “Shpërdorim detyre”;
– Ilir Rrapaj, “Mashtrim”;
– Marsela Serjani, “Falsifikim të dokumenteve” e “Shpërdorim detyre”;
– Saimir Kadiu, “Falsifikim të dokumenteve” e “Shpërdorim detyre”;
– Petref Mersini, “Falsifikim të dokumenteve” e “Shpërdorim detyre”;
– Arben Gjata, “Falsifikim të dokumenteve” e “Shpërdorim detyre”;
– Genc Burazeri, “Falsifikim të dokumenteve” e “Shpërdorim detyre”;
– Naile Ajazi, “Falsifikim të dokumenteve” e “Shpërdorim detyre”.