Stellantis vjen me investimin më të madh ndonjëherë në Amerikën e Jugut!

Disa nga prodhuesit më të mëdhenj të automjeteve po shpenzojnë miliarda euro në motorë të rinj me derivate. Stellantis është kompania e radhës e automjeteve që sinjalizon se nuk ka ndërmend të braktisë prodhimin e makinave me derivate. Bëhet e ditur se prodhuesi që zotëron 14 marka po shpenzon 6 miliardë dollarë në Amerikën e Jugut për prodhimin e motorëve dhe mainave të reja.

I cilësuar si investimi më i madh ndonjëherë në sektorin automobilistik të Amerikës së Jugut, shpenzimet do të rezultojnë në prodhimin e mbi 40 makinave dhe motorëve me derivate. Stellantis gjithashtu po planifikon prodhimin e automjeteve hibride-flex dhe plug-in. Përveç kësaj, do të prodhojë të paktën një makinë plotësisht elektrike në rajon. Këto investime do të kryhen ndërmjet viteve 2025 dhe 2030. Për më tepër, të gjitha këto do të jenë në përputhje me linjat ekzistuese të prodhimit në Amerikën e Jugut ku Stellantis zotëron 23.5% të tregut.