Bashkimi i dy kompanive, Fiat Chrysler Automobiles dhe PSA Peugeot Citroen u realizua në fillim të vitit 2021 dhe u shkri në një të vetëm duke formuar kompaninë e njohur tashmë si Stellantis. Para se të nënshkruhej marrëveshja për bashkim, kompanitë e ndanë lajmin e mirë me punonjësit se pagat do të realizohen në bazë të performancës. Që atëherë, Stellantis ka shpërndarë 6 miliardë euro.
Por, pas shitjeve të shumta gjatë vitit të kaluar, kompania ka njoftuar se do t’i shpërblejë punëtorët me çeqe të majme me vlerë deri në 1.9 miliard euro. Se sa njerëz do të përfitojnë nga ky shpërblim nuk është bërë e ditur, por dihet se rreth 95% e fuqisë punëtore janë të përfshirë në planin “paga në bazë të performancës”.
Megjithatë, jo të gjitha lajmet e fundit nga Stellantis janë të mira. Ndërsa kompania lëviz drejt një të ardhmeje elektrike, ajo do të eliminojë mijëra vende pune. Situatë e ngjashme është duke u shfaqur edhe në Evropë, ku eliminimet e vendeve të punës si pasojë e elektrizimit po shihen si shqetësim mjaft i madh.
Deri më tani, vetëm në Itali janë reduktuar 7000 vende pune, pavarësisht angazhimit të punonjësve. Ndërkaq, Stellantis po synon të zgjerojë më tej ofertat me prezantimin e modelit të parë elektrik nga Lancia dhe 48 modeleve të tjera deri në fund të vitit 2024.