Ai është Aktor, regjisor, producent, filantrop, shkrimtar dhe me një koktail theu internetin, e për aventurën e tij të re në CNN veshët i kishim ngritur dhe sytë i kishim katër. ‘Stanley Tucci: Searching for Italy’ hapet me aktorin rrugëve të Napolit, në verën e vitit të shkuar, veshur me një kostum me porosi siç u ka hije italianëve të vërtetë. Pamjet piktoreske janë pikërisht ato që priten nga një serial i Tucci-t, një prezencë jashtëzakonisht sharmante, i dashuruar me kuzhinën italiane, e treguar kjo edhe në librin e tij bestseller kushtuar kësaj kuzhine me receta trashëguar nga familja e tij italiane nga të dyja anët – ‘The Tucci Cookbook’. Por fjalët e para që dalin nga goja e tij janë ato që të vijnë natyrshëm për shkak të kohërave të trazuara që jetojmë – Ky Serial është xhiruar në verën e 2020, pak muaj mbas valës shkatërrimtare të Covid-19 në italinë fqinje.
“Është e vështirë ta besosh se vetëm pak muaj më parë pandemia zbrazi rrugët troshitëse të Napolit, kur italia ishte në izolim të plotë” – thotë Tucci. “Koha e mbërritjes time është një frymëmarrje e shkurtër normaliteti, restorantet janë hapur, dhe maskat nuk janë të detyrueshme jashtë, ndaj ne do i mbahemi rregullave lokale”. Ndaj seriali në çdo episod të tij të duket familjar – aspak i çuditshëm – mbase sepse ngjan me realitetin që po jetojmë tani e më shumë se një vit – dhe njerëz me maska tek tuk nuk na bëjnë më përshtypje apo mbase sepse për ne shqiptarët Italia është një prej vendeve që duam dhe njohim më shumë e kjo si në rastin e Tucci-t vjen (kryesisht) prej ushiqmit.
Por duhet thënë, seriali të bën disi konfuz – normaliteti zgjati pak – edhe pse në serial zgjat për 6 episode nga 53 minuta sejcili dhe në shumë raste jashtë kontekstit. 4 nga episodet janë xhiruar në vjeshtë të 2019 muaj përpara pandemisë. Vetëm dy episode – ai i Napolit dhe i Bolonjës janë xhiruar në 2020. Sigurisht jo çdo episod duhet transmetuar sipas kohës që është xhiruar, por ky është një rast i veçantë. Vala shkatërrimtare e Covid-19 kalon sikur thuajse asgjë në mbulimin që Tucci i bën Italisë dhe kjo e bën serialin pak jashtë kontekstit, paksa të largët, të pabesueshëm. Shumicën e kohës fokusi është tek kultura e pasur e restoranteve dhe rëndësia që Italianët i japin ushqimit dhe të ngrënit së bashku. Edhe pse u kthyen në 2020 pas pandemisë – narrativa nuk ndryshoi – shumë pak flitet për impaktin e mbylljes, e shifrës së lartë të vdekjeve dhe si kjo ndikoi në të përditshmen e popullit dhe sipërmarrësve.
Por përveç kësaj, çdo qasje tjetër është e zgjuar, shumë joshëse vizualisht dhe intelktualisht, madje kjo vjen shumë natyrshëm. Tucci viziton qytete mistike Italiane, të njohura më pak si Bolonja ose Palermo, por viziton edhe dashurinë e tij të ngahershme – kryeqytetin – Romën, një qytet që shpesh cilësohet (me të drejtë) si një kurth për turistët. Si një urith i vërtetë ai na tregon një Romë komplekse që e njohim pak ose aspak duke bashkuar problemet shoqërore, politike dhe ato gastronomike, në botën e Tuccit çdo gjë është e lidhur. Në fakt tisi i ndasisë gastronomike e politike italiane shoqëron të gjitha episodet duke hequr vija barazimi mes problemeve të ngjashme amerikane. Stanley Tucci vihet në kërkim të 4 pjatave më të famshme të pastave duke i bërë jehonë të ashtu-quajturave pjata të varfra. Seriali është po aq gastronomik sa është edhe historik duke treguar lidhjet e italianeve të sotëm me hebrenjtë, arabët, spanjollët apo emigrantët që vijnë nga lindja e mesme dhe duke dënuar politikën kundër emigrimit (Salvinin e të ngjashmit) dhe vlerësuar familjet Siciliane që ndihmojnë qëniet e humbura njerëzore që kalojnë vështirësi të paimagjinuara për të ardhur deri në brigjet italiane. Nga brumërat tek angjinarja ja sa e gjërë dhe e shijshme është kuzhina italiane, ndikuar gjithmonë nga njerëzit dhe lëvizjet e tyre e mbi të gjitha dashuria e tyre për ushqimin.
Të qënit 24 karat Italian e bën Tuccin perfekt për ‘rolin’ – kudo ku shkel, këdo që takon, ai nuk është i huaj, është modest dhe i dashur. Karizma dhe humori i aktorit janë një vlerë e shtuar e një seriali që për ta parë duhet të bëjmë të pabërën – Google Watch Online (nuk jemi krenar për këtë por në këtë vend jetojmë).
‘Searching for Italy’ është një kartolinë gati e nevojshme për të gjithë ne që e kemi të pamundur të shkojmë aty (urojmë) edhe për jo shumë kohë – vetëm nëse do gënjejmë në kufi dhe shpresojmë që polici të mos ketë nerva të merret me ne. Pasta, verë, natyrë e jashtëzakonshme dhe njerëz që e jetojnë jetën pavarësisht si u vjen, e duan vendin ndonjëherë më shumë se çdo gjë tjetër. Stanley Tucci të frymëzon përmes personazheve që takon të bëjmë të njëjtën gjë në të voglën tonë Shqipëri.