“Squid Game” vjen nga skenaristi-regjisori Hwang Dong-hyuk, i cili njihet për filmat “The Fortress”, “Miss Granny” dhe “Silenced”. Seriali tregon historinë e një grupi garuesish që bien dakord të marrin pjesë në një lojë misterioze të mbijetesës me një çmim të përgjithshëm prej gati 40 milion dollarë. Loja përfshin qindra garues që luajnë lojëra tradicionale për fëmijë me kthesa vdekjeprurëse. Shikuesit dhe kritikët i janë përgjigjur pozitivisht këtij seriali.
Megjithatë, shkollat po paralajmërojnë prindërit që të mos i lënë fëmijët e tyre të shikojnë serialin e Netflix-it, pasi disa nxënës u panë duke imituar skena të njëjta si në serial. Shfaqja e diskutueshme tani ka ndikuar që shkollat t’iu kërkojnë prindërve të monitorojnë atë që fëmijët e tyre po shikojnë mes frikës së imitimit të personazheve të serialit.
“Sandown School” në Deal, Kent, tha se mësuesit u kishin dhënë nxënësve të tyre mësime shtesë mbi sigurinë në internet dhe rreziqet e shikimit të përmbajtjes që nuk është e përshtatshme për moshën si përgjigje ndaj popullaritetit të serialit. Një zëdhënëse e shkollës tha:
Ne jemi gjithmonë duke dhënë këshillat tona për prindërit dhe fëmijët, është diçka që ne po e përditësojmë vazhdimisht në përgjigje ndaj këtij seriali. Ne kemi dhënë mësime shtesë për dhunën dhe dëmet në internet.
“Goodwin Academy”, një shkollë tjetër konfirmoi se ekipi i saj mbrojtës u kishte dërguar një letër prindërve në lidhje me shqetësimet rreth serialit. Një prind që jeton në Deal shkroi në rrjetet sociale:
Ne kemi marrë dy letra nga shkollat që paralajmërojnë prindërit rreth përmbajtjes së serialit “Squid Game”. Po filloj të mendoj se një letër më e përgjithshme në lidhje me përgjegjësinë prindërore mund të jetë më e dobishme. Mbani një sy hapur mbi atë se çfarë fëmijët tuaj po shikojnë.
Një baba tha se shkolla e fëmijëve të tij në në lindje të Londrës, kishte paralajmëruar prindërit në një letër për fëmijët që luanin versionin e tyre të “Squid Game” dhe se prindërit mund të sanksionoheshin për këtë. Ai shkroi në Twitter:
Nuk mund të besoj se shkolla e fëmijëve të mi duhet të dërgojë një letër duke u thënë prindërve se fëmijët po luajnë versionin e tyre të “Squid Game” dhe se prindërit do të aplikojnë sanksione nëse fëmijët e tyre imitojnë lojën. Popullariteti i këtij seriali është në nivelin tjetër.
“Squid Game” është vlerësuar i përshtatshëm për shikuesit e moshës 15 vjeç e lart dhe Netflix jep një seri paralajmërimesh të përmbajtjes duke përfshirë seksin, dhunën dhe vetëvrasjen. Ata duhet të kenë mbikëqyrjen e prindërve për të vendosur, ashtu siç duhet të bëjnë kur bëhet fjalë për çdo shfaqje që përmban tema të të rriturve që fëmija i tyre dëshiron të shohë.
Rikujtojmë se, së fundmi, Netflix ka treguar se do të redaktojë skenat e këtij seriali, pasi një numër i madh shikuesish kanë filluar të telefonojnë një numër telefoni që shfaqet në serial që në fakt është një numër rastësor që i përket një zonje të thjeshtë nga Koreja e Jugut, e cila thotë se është bombarduar me thirrje dhe mesazhe nga të huajt që nga dita e parë kur u transmetua seriali.