Seriali i cili ka fituar një popullaritet shumë të madh vetëm në një muaj publikim,“Squid Game” arrin suksesin më të madh në historinë e Netflix me 111 milion fansa që e ndjekin serialin që nga debutimi i tij më 17 Shtator. Seriali hit i Koresë së Jugut është bërë fenomen duke tejkaluar pritshmëritë, i cili është aktualisht seriali i parë në 10 listat kryesore të Netflix në 94 vende të globit, duke u bërë gjithashtu seriali i parë që po ndiqet masivisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa të dhënat e shikueshmërisë janë sigurisht mbresëlënëse, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që 111 milion llogari të Netflix e kanë parë serialin deri në fund. Matësit e shikueshmërisë llogaritin si shikues edhe ata që kanë parë të paktën dy minuta të serialit, megjithëse e njëjta matje është aplikuar në të gjitha serialet e tjera të kësaj platforme. 111 milion shikues përfaqësojnë më shumë se gjysmën e abonentëve globalë të Netflix prej 209 milion prej tyre.
Minyoung Kim, nënkryetarja e Netflix për përmbajtjet e Koresë, Azisë Juglindore, Australisë dhe Zelandës së Re u shpreh se:
Seriali ka arritur përtej ëndrrave tona më të këqija. Kur filluam të investonim në serialet dhe filmat koreanë në vitin 2015-të, e dinim që donim të bënim histori të klasit botëror për adhuruesit kryesorë të përmbajtjes në Kore, Azi dhe kudo në botë. “Squid Game” i dha Netflix më shumë besim dhe strategjia jonë globale po shkon në drejtimin e duhur.
Seriali i njohur “Squid Game” u lançua për herë të parë në Netflix në 17 Shtator. Ai u krijua nga regjisori dhe skenaristi Hwang Dong-hyuk, i cili shkroi dhe drejtoi secilën nga nëntë episodet dhe përqendrohet në një garë ku 456 njerëz mblidhen së bashku nga sfera të ndryshme të jetës. Gjëja kryesore që ata kanë të përbashkët është se të gjithë kanë shumë borxhe për të shlyer dhe iu ofruan një shans për të fituar miliarda dollarë duke luajtur një sërë lojërash për fëmijë edhe pse me pasoja vdekjeprurëse.
Rikujtojmë se, seriali i njohur korean “Squid Game” tanimë është në gojën e të gjithëve. Shumë flitet, diskutohet, ka kritika, vlerësime në lidhje me të. Nëse nuk e dini krijuesit të këtij seriali, Hwang Dong-hyuk iu deshën dhjetë vjet për të arritur këtë ditë. Por fansave iu deshën më pak se një muaj, për të kërkuar sezonin e dytë. Hwang Dong-hyuk fillimisht nuk kishte plane për të bërë një vazhdim të serialit, por kreu i televizionit global të Netflix, Bela Bajaria tha se ishte në varësi të regjisorit dhe se si ai dëshiron të vazhdojë. Ajo gjithashtu tregoi se shkrimtarët e rinj mund të bashkëpunojnë në çdo sezon të mundshëm të ardhshëm.
Gjithashtu, së fundmi është bërë e ditur se aktorja e njohur Jung Ho-yeon e këtij seriali tanimë ka marrë fronin si aktorja koreane më e ndjekur në rrjetin social Instagram. Por së fundmi ajo ka treguar se për të qëndruar në formë pi shumë ujë dhe përdor krem mbrojtës nga dielli. Për aktoren, hidratimi është thelbësor për lëkurë të mirë.