Aktualitet Politikë Rajoni

Spiropali në Shkup: Korridori 8, projekt integrimi dhe sigurie në rajon!

Nga Shkupi ku sot u prit nga homologu i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali nënvizoi rëndësinë e Korridorit 8 për qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, teksa e cilësoi “projekt zhvillimi, bashkëpunimi, integrimi dhe sigurie në rajon e më gjerë”. Në deklaratën e përbashkët për shtyp, Spiropali u ndal te bashkëpunimi mes dy vendeve.

Ne ndjehemi krenarë që dy vendet tona bashkë me Italinë e Bullgarinë kanë nisur një projekt të madh të përbashkët, Korridorin 8, një ëndërr e shqiptarëve të Shqipërisë dhe gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Në aspektin e bashkëpunimit dypalësh, Spiropali ndau bindjen për nevojën e angazhimit të parlamenteve si instrumente dialogu që ndikojnë në përafrimin e mëtejshëm mes dy vendeve.

Parlamentet duhet të identifikojnë mjetet për zgjerimin e kontakteve dhe në mënyrë të veçantë për të ruajtur, mbrojtur e çuar në një nivel edhe më të lartë klimën e marrëdhëniet politike njerëzore mes dy vendeve.

Kryeparlamentarja shprehu bindjen se nën drejtimin e Gashit, marrëdhëniet ndërmjet dy Kuvendeve do të njohin nivel të ri bashkëpunimi.

Në Shqipëri ka një vëmendje të posaçme për të gjitha zhvillimet në Maqedoninë e Veriut. Ndryshimet në ngjyrën e qeverisjes dhe rotacioni politik në Shkup nuk duhet e nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve tona, por do të jetë pjesë e një cikli progresi të vazhdueshëm bashkëpunimi mes nesh. Ne jemi të gatshëm në këtë kontekst të vazhdojmë kontaktet dhe dialogun politik.

Duke u ndalur te procesi i integrimit europian, Spiropali deklaroi se Shqipëria nxit fort dhe pa asnjë mëdyshje perspektivën europiane të Maqedonisë së Veriut.

Me sy nga e ardhmja dhe busull nga Brukseli, historia e së ardhmes do të ndikojë jo pak edhe mbi projektet politike të ditës që do të thotë se rrugëtimi i përbashkët drejt BE-së apo edhe orientimi e anëtarësimi në NATO, kufizojnë rolin e politikës në ndryshimin e kësaj historie që ende pret të shkruhet.

Pavarësisht se kemi humbur shumë trena për fajin tonë, sot ngjan se edhe treni shkon në shina të paparashikueshme, ndalon ku nuk ka stacion dhe ecën aty ku prisnim të ndalonte për ne. Të dyja vendet tona kanë një kalvar të gjatë, por edhe kusure vetjake në përpjekjet për të siguruar integrimin europian.

Ne gjykojmë se BE-ja duhet të vazhdojë të ofrojë një rrugë të qartë e të arritshme drejt anëtarësimit për të dyja vendet tona, si dhe për të gjithë rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor. Duke mbajtur një politikë të besueshme zgjerimi, BE-ja mund të stimulojë reformat e të nxisë një ndjenjë shprese dhe drejtimi për të ardhmen.