Bota

SPD-ja e Scholz-it i fitoi zgjedhjet teksa ekstremi i djathtë vazhdon rritjen

Në përpjekjen për kapërcimin e vështirësive, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz mund të ndihet i lehtësuar që partia e tij nuk humbi Brandenburgun në zgjedhjet e djeshme, por e ruajti bastionin që mban prej mbi tre dekadash. Humbja përballë ekstremistëve të djathtë të AfD-së do të ishte e padurueshme.

Partia e tij e Socialdemokratëve (SPD), që e ka udhëhequr këtë land që nga ribashkimi i Gjermanisë, ia doli të zërë vendin e parë përsëri, pasi gjatë fushatës ishte mbrapa partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) pothuajse gjatë gjithë fushatës.

Në fund, SPD-ja fitoi 30.9% të votave, duke shënuar përmirësim krahasuar me 26% të fituara më 2019-ën dhe e la AfD-në në vendin e dytë me 29.2.

Ky rezultat është lehtësim afatshkurtër për Scholzin në shumë mënyra. Ai jeton në Potsdam, kryeqytetin e Brandenburgut dhe partia e tij, më në fund shënoi një fitore pas rezultateve të tmerrshme në Turingi e Saksoni, dy landet e ish-Gjermanisë Lindore, para tri javëve ku mezi mbijetoi.

Në javët e fundit ka pasur shumë pikëpyetje për atë se sa gjatë mund të udhëheqë qeveria federale pas rezultateve kaq të dobëta. Por, tani duket se të paktën mund të arrijë disi në zgjedhjet e përgjithshme, të planifikuara për në shtatorin e vitit 2025.

Çështja është se sa shumë merita duhet të marrë Scholz-i për këtë rezultat. Ai e ka ndryshuar tonin në javët e fundit, në përpjekje për t’i adresuar shqetësimet rreth emigracionit dhe skepticizmit për Ukrainën, të cilat mbizotërojnë në pjesë të mëdha të elektoratit, kryesisht në lindje të Gjermanisë.

Scholz ka folur më zëshëm për bisedime për paqe, në të cilat duhet të përfshihet edhe Rusia ndërsa në fillim të shtatorit, riktheu kontrollet kufitare në të gjithë kufijtë e Gjermanisë, në përpjekje për ta luftuar emigracionin pas një sulmi vdekjeprurës me thikë në qytetin perëndimor Solingen, në gusht, për të cilin përgjegjësinë e mori Shteti Islamik.

Në shumë aspekte, rezultati përfundimtar duket të jetë arritur falë një kombinimi mes njerëzve që kanë votuar për partinë e tij, si zgjidhja e fundit për ta parandaluar AfD-në nga fitorja dhe popullariteti i kryeministrit të Brandenburgut, Dietmar Woidke, i cili, edhe pse është në parti me Scholz-in, e shpërfilli gjatë fushatës dhe e kritikoi qeverinë federale.