Bota

Spanjollët votojnë në zgjedhjet që mund të sjellin të djathtën në pushtet!

Sot zhvillohen zgjedhjet politike në Spanjë dhe vendi anëtar i BE-së mund të kalojë nga e djathta. Kryeministri Pedro Sanchez thirri votime të parakohshme kur Partia e Punëtorëve Socialistë Spanjollë e partneri nga ekstremi i majtë, Unidas Podemos u mposhtën në zgjedhjet lokale e rajonale në maj. Sanchez është kryeministër që nga 2018-ta.

Shumica e sondazheve favorizojnë Partinë Popullore të krahut të djathtë,  para socialistëve të Sanchezit. Por do t’iu duhet mbështetja e partisë së ekstremit të djathtë, Vox, për të formuar qeverinë.

Një koalicion i tillë do të kthente një forcë të ekstremit të djathtë në qeverinë spanjolle, për herë të parë që kur Spanja kaloi në demokraci, në fundin e viteve ‘70, pas sundimit gati 40-vjeçar të diktatorit Francisco Franco. Kundërshtarë kanë socialistët dhe një lëvizje të re, e quajtur Sumar, e cila për herë të parë ka bërë bashkë 15 parti të vogla të majta.

Ndërsa asnjë parti nuk pritet të fitojë shumicë absolute, praktikisht spanjollët do të zgjedhin mes një tjetër koalicioni majtist e një partneriteti ndërmjet krahut të djathtë dhe ekstremit të djathtë.

Qeveria e Sanchezit e drejtoi Spanjën gjatë pandemisë COVID-19, duke u marrë me një rënie ekonomike të nxitur nga inflacioni e të përkeqësuar nga pushtimi rus i Ukrainës. Por, varësia e tij nga partitë e ekstremit për të ruajtur koalicionin pakicë, përfshirë forcat separatiste, si dhe miratimi i disa ligjeve liberale mund t’i kushtojë pozitën.

Zgjedhjet po mbahen në kulmin e verës, me miliona votues që janë duke pushuar larg qendrave të votimit. Por, kërkesat për votim me postë janë rritur, ndërsa zyrtarët presin pjesëmarrje prej rreth 70% të personave me të drejtë vote.

Në vazhdën e valëve të të nxehtit gjatë korrikut, temperaturat mesatare pritet të jenë mbi 35 gradë celsius dhe sot të shkojnë ndërmjet 5 e 10 gradë mbi normalen, në shumë pjesë të vendit.

Mbi 37 milion votues janë thirrur të votojnë deri në orën 20:00 të mbrëmjes. Rezultatet thuajse përfundimtare pritet të bëhen të ditura para mesnate.