Sport

Spanjë, Reali rikthehet në “shina”, ndërsa Bayerni tregohet cinik në Gjermani

Pas humbjes në “El Clasico” dhe pas disfatës ndaj Milanit në Champions, Real Madrid është rikthyer në shinat e duhura. Në kampionat, Los Blancos triumfuan 4-0 ndaj Osasunas.

Në pjesën e parë, të besuarit e Ancelottit realizuan me Vinicius dhe Bellingham. Në pjesën e dytë, do ishte Vinicius që do “rrëmbente skenën”, pasi me dy gola të tjerë, kompletoi tripletën. Reali renditet në vendin e dytë me 27 pikë.

Bayernit i ka mjaftuar një gol në fushën e St.Paulit, për të marrë 3 pikët e radhës në Bundesligë (0-1). Autori i golit të vetëm të takimit është Musiala, i cili realizoi në minutën e 22-të.

Ekipi i Kompany shtoi presionin në pjesën e dytë, por pa mundur dot të gjejë golin e sigurisë. Bayern kryeson kampionatin, me 26 pikë.

Në ndeshjet e tjera, Leverkusen nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1, ndërsa Dortmund pësoi disfatë 3-1 në fushën e Mainz.

La Liga dhe Bundesliga përcillen ekskluzivisht në Digitalb.