Nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, në orët e mbrëmjes, policia zhvilloi një aksion të gjerë antidrogë te Kodra e Diellit në Tiranë e në një banesë private në Qerekë të Niklës, në Fushë-Krujë, ku raportohet se u zbulua një laborator kokaine. Burime për Top Channel bënë të ditur se ky operacion pasoi një hetim disamujor. Në krye të tij qëndrojnë SPAK-u dhe autoritetet nga Spanja, për llogari të të cilëve u krye.
Kontrollet u shtrinë edhe në të tjera zona në kryeqytet e kryesisht në disa banesa, si dhe pati të arrestuar por ende nuk dihet me saktësi numri i tyre pasi nuk ka informacione zyrtare. Paraprakisht, thuhet se në shënjestër u vu një grup kriminal që shpërndan lëndë narkotike të forta.
Aksioni erdhi pas takimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda me zyrtarë të DEA-s në Athinë. Në të kanë marrë pjesë disa agjenci ligjzbatuese duke ekzekutuar disa urdhër arreste të lëshuara me vendim GJKKO-je.