Aktualitet

SPAK-u merr të pandehur kryebashkiakun e Devollit/Eduard Duro: Zbatova ligjin!

Pas kallëzimit të një subjekti, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK ka marrë të pandehur kryetarin e Bashkisë Devollit, Eduard Duro. Nga SPAK-u, ai akuzohet për shpërdorim detyre, në lidhje me dhënien e licencës së një pike karburanti e që dyshohet se ishte ndërtim pa leje.

Kryebashkiaku 48-vjeçar, i cili ka mbaruar studimet për Marketing në Universitetin e Korçës, ka punuar si inspektor kontrolli në Tatimet e Devollit e si agjent doganor në Kapshticë, deri në momentin që u zgjodh në krye të bashkisë kur kandidoi për PS-në, në zgjedhjet e 30 qershorit të vitit 2019 dhe ky është mandati i dytë i tij.

Vetë Eduard Duro ka reaguar dhe ka deklaruar se nuk ka shpërdoruar detyrën e vuri në dukje se ka firmosur sipas ligjit.

Sektori i tatim taksave ka dhënë autorizim për shitje karburanti brenda dhe konform ligjit. Shtetasit J.K dhe M.K kanë bërë denoncim se ky dokument nuk duhej dhënë subjektit “Genci Petrol”. Kam firmosur çdo gjë siç e kërkon ligji dhe nuk bëhet fjala për shpërdorim detyre por për detyrë të plotësuar në kushtet e një kryetari bashkie.

Një reagim pati edhe nga Zyra e Shtypit e Bashkisë Devoll duke ndarë dokumentin e autorizimit për subjektin. Aty thuhet:

Lidhur me lajmin që sapo është publikuar, po ju vendosim në dispozicion autorizimin që është dhënë nga ana e Bashkisë Devoll për karburantin. Autorizimi është bërë nga drejtoria e tatim taksave, konform ligjit. Në këtë rast, nga ana e kryetarit të bashkisë Eduard Duro është firmosur autorizimi, duke plotësuar detyrën në kushtet e një kryetari bashkie. Nga ana e palës tjetër, është bërë denoncim se ky dokument nuk duhej t’i jepej subjektit “Genci Petrol”, por në këtë rast autorizimi është dhënë sipas ligjit.