Aktualitet

SPAK-u merr të pandehur deputetin e dorëhequr Jyrgis Çyrbja!

Prokuroria e Posaçme mori të pandehur Jyrgis Çyrbjan, i cili dorëzoi mandatin e deputetit socialist, siç u shpreh “në vlerësim të situatës personale” dhe deklaroi se “nuk ka asnjë shqetësim të natyrës ligjore”.   Ai akuzohet për  “Shpërdorim detyre” lidhur me kallëzimin e bërë nga deputeti demokrat, Edi Paloka në zgjedhjet politike të vitit 2021 se gjatë kohës kur drejtonte Hipotekën e Durrësit, “shpërndante leje legalizimesh me qëllime elektorale”.

Kur drejtonte Hipotekën e Durrësit, Çyrbja është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, i dyshuar se kishte favorizuar Emiljano Shullazin për të përfituar prona në Durrës. Madje, vazhdimisht ish-kryetari demokrat, Lulzim Basha e quante “bashkëpunëtor të krimit”. Dje në një reagim, Basha u shpreh:

Edi Rama nuk mund të lajë duart vetëm duke detyruar deputetë e ministra të largohen nga funksionet kur u tunden prangat. Ai duhet të mbajë përgjegjesi pse e ka zhytur vendin në korrupsion dhe ka veshur krimin me pushtet.

30 minuta qëndroi sot në mjediset e SPAK-ut, Jurgis Çyrbja, për të dytën herë në tre ditë. Gazetarëve që e pyetën, iu tha:

Nuk kam asgjë për të thënë. Drejtohuni te SPAK-u!

Çyrbja po mbyllte mandatin e dytë si deputet i PS-së. Vendin e tij në Kuvend, pritet ta zërë Erjon Meka, i cili në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 mori 2 mijë e 228 vota.