Jamie Foxx është një muzikant Jazz-i i cili e gjen veten të bllokuar mes të shkuarës dhe të ardhmes së botës shpirtërore – jo figurativisht. Në më shumë se 100 minuta të ndezura dhe plot thellime, filmi i ri i animuar nga Pixar – ‘Soul’ cek disa nga pyetjet që na kanë bërë të humbasim gjumin që në vegjëli. “Pse ekzistojmë” “Çfarë nënkupton të qënit gjallë” “Çfarë vjen pas jetës”.
Është e rrallë për çdo film, le pastaj një film me kartona, të zhytet në metafizikën dhe thellësinë e saj paksa frikësuese por kjo nuk është as hera e parë (dhe as nuk do të jetë e fundit) që ‘Pixar’ ka ndërmarrë këtë udhëtim. Njësoj si tek ‘Coco’, ‘Soul’ është një përpjekje për të shpjeguar atë që ndodh përtej kësaj bote – ose para – duke vazhduar linjën e pejsazheve të gjalla dhe personazheve qesharake të ‘Inside Out’. Bota ku shpirtrat enden para dhe pasi kalojnë nga bota jonë është vezulluese, e trupëzuar nga shaka të zgjuara galaktike, populluar nga shpirtra trashaluq ektoplazmikë dhe ‘këshillues’ burokratikë që quhen të gjithë Xherri.
Në të njëjtën kohë filmi me regjinë e Pete Docter dhe Kemp Powers dhe skenarit që ata e shkruan bashkë me Mike Jones përfaqëson një kapitull të ri në ekspansionin realist të ‘Pixar’. Mbas peshqve që flasin ‘Finding Nemo’, përbindëshave të frikësuar ‘Monsters Inc.’ makinave me ndërgjegjie ‘Cars’ apo minjve gjeni ‘Ratatouille’, animatorët e ‘Soul’, i kanë vënë vetes sfida edhe më të mëdha.
Filmat e tyre të mëparshëm kanë qënë fantastik në përshkrimin e animuar të qyteteve reale si Parisi, San Francisco apo koralet por asnjëherë si tek ‘Soul’, ku ka një ndjekje poetike, që lëviz si muzika në detajet arkitekturore, ritmikës së qytetit që gjallon duke e bërë atë një film mbi jetën, vdekjen, jazzin por edhe New York-un.
New York-u i klisheve, i makinave dhe borive shurdhuese, morisë së njerzve në trotuare, trenave të tejmbushur, picës, berberhaneve, taksive të verdha e të tjera si këto detaje që ngjallin një sens përkatësie për të gjithë ata që e kanë vizituar qytetin qoftë edhe për pak kohë. Saktësia me të cilën kjo botë realiste është renderizuar aq mirë sa për një çast harron se po shikon një film të animuar. Po shikon një film për qytetin më të famshëm në botë, kryqëzimet që i ke parë shpesh vetë apo në filma të tjerë – nostalgjia që të ngjall kur personazhi ha një kulaç tipik…
Estetika e ‘Pixar’ vjen duke u perfeksionuar tek ky prodhim – ku disa prej skenave janë ‘xhiruar’ me dritë natyrale. Poetika e diellit mbas pemëve dhe godinave është magjike. Shpirti i personazhit kryesor është po aq i rrëmujshëm sa shpirti i qytetit, por po aq i mrekullueshëm sa qyteti.
Joe, jazzist si i ati, është në një kryqëzim. Duke mos qënë më i ri (nuk e kuptojmë ne film sa vjeç është) ai duhet të zgjedhë mes një pune të sigurtë por modeste – mësues muzike në fillore – apo ëndrrës për skenat e dëshiruara të jazzit. Mamaja e tij (Phylicia Rashad) si çdo mama shqetësohet për të ardhmen e tij, sepse në mungesë të së atit, dhe moshës së saj të shtyrë, jeta prej artisti nuk të lejon të kesh garanci financiare. Por Joe ëndërron dhe ditën që ëndrra i bëhet realitet (të luajë me grupin e saksofonistes së famshme (Angela Basset) është dita e fundit për të në tokë.
Ose jo tamam ashtu, sepse shpirti i tij do të fillojë të endet mes parajsës – dhe botës përpara se të vijmë në tokë – një botë që prezantohet për herë të parë. Aty Joe do të njihet me shpirtin me numrin 22 (Tina Fey) i cili është i vendosur të mos vijë në tokë. 22 në vend që të zbresë në planetin blu, është më i lumtur të endet në botën që njeh, duke munduar mentorët e tij me mijëra vjet – disa syresh Nënë Tereza, Muhamet Ali, Abraham Lincoln – jo aq Xherrit të cilët kanë dhuntinë e qetësisë e durimit të përjetshëm (falë zërave qetësues të Wes Studi, Alice Braga dhe Richard Ayoade). Pjesë e klanit të tyre është edhe Terri (Rachel House), numëruesi i shpirtrave, të cilit nuk i shpëton asnjëherë asgjë derisa Joe i ‘shfaqet në derë’.
E ndërsa 22 nuk do të shkojë në tokë, por Joe nuk do të iki prej saj fantazia bëhet edhe më e mpleksur dhe të dy do të zbulojnë anë të tyret që nuk i njihnin – xhanëm a nuk vlerësojmë me tepër çdo gjë atëhere kur nuk e kemi më… Sinqeriteti i filmit është mikëpritës i pandashëm në asnjë çast nga artistllëku i tij – jazz-i simbolizon gjenerimin e të bukurës në rrugicat e New York-ut afro amerikan. Kolona zanore e Jon Batiste, kompozime të dashura jazzi kombinuar me muzikën plotësuese të Trent Reznor (NIN) dhe Atticus Ross krijojnë një urë mes sensuales dhe abstraktes, fizikes e metafizikes.
Siç thuajse çdo film tjetër i tij i ‘Pixar’ – ‘Soul’ është një paradoks dhe është koshient për këtë. Por njësoj si mendimet humane të ‘s6endeve’ tek “Toy Story” apo rëndësinë e trishtimit tek ‘Inside Out’ ky është një film për të ç’mitizuar ambicien – një përpjekje ambicioze për të mos e marrë veten shumë seriozisht. Por rrugës duke çuar mesazhin se çdo njeri ka një mision unik në tokë gabimi bëhet për të reflektuar ideologjinë karrieriste.
Një nga filmat më të mirë të vitit, perfekt në teknologji por i vogël dhe delikat duke mos Kapur çdo notë në kokë – por duke i qëndruar Besnik atij që ka në titull – shpirtit.
‘Soul’ është pretendenti kryesor për kategorinë e filmit më të mirë të animuar në Oscar-ët e kësaj të diele.