Mbretëria e Bashkuar po mban zgjedhjet kombëtare, që sipas sondazheve, pritet t’u japin fund 14 viteve të qeverisjes së udhëhequr nga Partia Konservatore. Por, si funksionon sistemi zgjedhor? Vendi është i ndarë në 650 zona elektorale. Në secilën prej tyre, votuesit zgjedhin nga një kandidat lokal, që do të ketë një vend në Parlament. Votuesit zgjedhin një kandidat në fletën e tyre të votimit dhe fiton ai me më shumë vota. Zakonisht, emrat janë pjesë e ndonjë partie më të madhe politike.
Për të siguruar shumicën në Parlament, një parti duhet të fitojë të paktën 326 vende. Lideri i partisë që e arrin këtë numër bëhet kryeministër e formon qeverinë. Nëse asnjë parti e vetme nuk fiton shumicën, kryeministri në detyrë qëndron në pushtet dhe i jepet mundësia e parë të formojë një kabinet duke ndërtuar një koalicion ose duke qeverisur si pakicë.
Kush mund të votojë dhe si?
Votuesit duhet të jenë të paktën 18 vjeç në ditën e votimit e po ashtu, të jenë shtetas britanikë, irlandezë ose të Komonuelthit. Rreth 50 milion persona janë regjistruar për të votuar. Qendrat e votimit janë të hapura nga 7-ta e mëngjesit e deri më 22:00, sipas orës lokale. Votimi mund të bëhet duke shkuar në vendvotime, me postë apo përmes një përfaqësuesi. Për të votuar, votuesi duhet të ketë me vete një dokument identifikues me foto.
Këto janë zgjedhjet e para kombëtare, në të cilat kërkohet një gjë e tillë, megjithëse ishte vendosur si rregull për zgjedhjet lokale vitin e kaluar. Qytetarët britanikë që jetojnë jashtë shtetit, gjithashtu do të kenë mundësinë të votojnë pavarësisht sa kohë kanë që jetojnë jashtë vendit. Tre milion qytetarë britanikë mund të votojnë sipas Komisionit Zgjedhor.
Një sondazh do të publikohet nga mediat menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit. Njësitë zgjedhore nisin numërimin e votave sapo të mbyllen qendrat e votimit dhe rezultatet e para vijnë brenda disa orësh. Shumica e fituesve deklarohen brenda natës, ndonëse në disa zona rurale kjo zgjat më shumë, veçanërisht nëse rezultati është i ngushtë e kërkohet rinumërim. Edhe pse nuk jepet ndonjë deklaratë për ndonjë fitues të përgjithshëm, rezultati zakonisht është i qartë dikur mes orës 5 dhe 7 të mëngjesit.