Bota

Sot zgjedhjet në Gjeorgji/Kyçe për drejtimin e vendit!

Në Gjeorgji, qytetarët me të drejtë vote, sot janë thirrur të votojnë në zgjedhjet parlamentare, që shihen si “thelbësore” për drejtimin e ardhshëm të shtetit, drejt Bashkimit Europian apo Rusisë. Po përballen partia Endrra Gjeorgjiane, në pushtet që nga viti 2012, me opozitën e ndarë që kërkon integrimin perëndimor.

Votimet, Endrra Gjeorgjiane i ka përshkruar si “zgjedhje mes paqes apo luftës” duke argumentuar se nëse opozita fiton, ajo do ta “tërheqë Gjeorgjinë në luftë kundër Rusisë”. Ndërkaq, opozita i ka portretizuar votimet e sotme si “zgjedhje mes Perëndimit dhe Rusisë, mes demokracisë e autoritarizmit”, një narrativë e përmendur edhe nga zyrtarët në Shtetet e Bashkuara e në Europë, të cilët e kanë kritikuar Endrrën Gjeorgjiane për kthim prapa të demokracisë.

Në mëngjes, një zëdhënëse e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve iu tha gazetarëve se ka probleme “të vogla teknike”, por situata paraqitet e qetë në 3 mijë e 111 qendra votimi. Sistemi i ri zgjedhor nënkupton se partitë apo koalicionet duhet të kalojnë pragun prej 5% për të hyrë në Parlament. Kjo i ka shtyrë partitë opozitare të formojnë koalicione, që ta arrijnë pragun zgjedhor.

Endrra Gjeorgjiane u themelua nga ish-kryeministri Bidzina Ivanishvili, njeriu më i pasur në Gjeorgji. Kremlini nuk e ka fshehur se dëshiron që Endrra Gjeorgjiane të fitojë zgjedhjet. Sipas sondazheve, gjeorgjianët gjerësisht mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Europian e NATO, por po ashtu dëshirojnë të shmangin një konflikt me Rusinë dhe janë shumë konservatorë sa i përket disa çështjeve, si të drejtat e komunitetit LGBT+.

Në mesin e ligjeve të debatueshme, Endrra Gjeorgjiane miratoi atë që grupeve që pranojnë 20% apo më shumë të financimit të tyre nga jashtë, iu kërkon të regjistrohen si “agjentë të huaj”. Kundërshtarët e kanë cilësuar “ligj rus”, duke thënë se legjislacioni është frymëzuar nga ligje të ngjashme që përdoren në Rusi për të shtypur disidencën.

Miratimi i ligjit më herët gjatë këtij viti nxiti protesta masive dhe shtyu SHBA-të të vendosnin sanksione ndaj disa gjeorgjianëve, si dhe kërcënuan me ndërprerjen e ndihmës për Tbilisin. BE-ja ka thënë se mund të vendosë për anulim të përkohshëm të regjimit pa viza me Gjeorgjinë, nëse zgjedhjet “nuk janë të lira dhe të drejta”. Endrra Gjeorgjiane po ashtu ka miratuar një ligj tjetër që kufizon të drejtat e komunitetit LGBT+.