Rajoni

Sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Malin e Zi/Ja kë favorizojnë sondazhet!

Në Malin e Zi, qytetarët me të drejtë vote, sot janë thirrur që të vendosin për qeverinë e tyre të re. Zyrtarisht janë 542 mijë e 468 zgjedhës që duhet të shprehin vullnetin në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, të gjashtat që nga rivendosja e pavarësisë së vendit në një referendum të vitit 2006.

Këto votime pritet të përcaktojnë nëse vendi i vogël ballkanik, anëtar i NATO-s do të tejkalojë apo jo ndasitë e thella politike, si dhe paqëndrueshmërinë që i kanë penguar rrugëtimin për t’iu bashkuar bllokut europian.

Lista e votimit përfshin 15 parti e koalicione, duke filluar nga pro perëndimoret dhe deri tek ato që janë pro serbe e pro ruse.

Sondazhet dhe analistët parashikojnë se Lëvizja “Europa Tani”, e drejtuar nga eksperti financiar Milojko Spajiç dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka shumë gjasa që të fitojë shumicën e votave, por jo mjaftueshëm për të arritur të ketë një maxhorancë absolute në Parlament.

37-vjeçari Spajiç, një ish-ministër i Financave i cili në vitin 2021 paraqiti reforma ekonomike ku u përfshi rritja e pagës mesatare, tashmë premton rritje të mëtejshme të pagave dhe shtatë orë punë në ditë, në vend të tetë orëve sa është kohëzgjatja aktuale e ditës së punës.

Partia Demokratike e Socialistëve, dikur e drejtuar nga Milo Gjukanoviç ka pësuar një rënie të mbështetjes popullore, pas tre dekadash që dominoi politikën e vendit fqinj.

Pjesë e listës së votimit është dhe koalicioni “Forumi Shqiptar”, i përbërë nga Alternativa Shqiptare (AA), Aleanca Demokratike e Shqiptarëve dhe Bashkimi Kombëtar i Shqiptarëve. Ajo udhëhiqet nga kreu i AA-së, njëherazi kryetar i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.

Në zgjedhje merr pjesë edhe “Koalicioni i Bashkuar për Reforma”, pjesë e të cilit është kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviç. Po ashtu, garon dhe një koalicioni pro rus e pro serb, i quajtur “Për të ardhmen e Malit të Zi”.