Aktualitet

Sot vendimi për zgjatjen e afatit të vetting-ut, mbi 180 gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar!

Mbi 180 gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar deri tani nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, që nga nisja e procesit të vetting-ut në janar 2018. Kjo në kuadër të Reformës në Drejtësi nën asistencën e ekspertëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, për pastrimin e sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit.

KPK bën të ditur se janë marrë 185 vendime për shkarkimin nga detyra të 115 gjyqtarëve, 67 prokurorëve, 1 inspektori në ILD dhe 2 ndihmësve ligjorë.

Procesi i vetting-ut për gjyqtarët dhe prokurorët bazohet në tri kritere kyç për pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.
Gjithashtu, KPK ka marrë 195 vendime për konfirmimin në detyrë të 101 gjyqtarëve, 82 prokurorëve, 2 ish- inspektori KLD/kandidat për gjykatë apeli, një inspektore e komanduar në ILD dhe 9 ndihmësve/këshilltarë ligjorë. 76 vendime janë marrë nga trupa e KPK për ndërprerje të procesit për 47 gjyqtarë, 19 prokurorë, dy ish-inspektorë në KLD dhe 8 ndihmësa ligjorë.

Në kuadër të procesit të rivlerësimit janë marrë deri tani 8 vendime për pushimin e procesit për tre gjyqtarë, një prokuror dhe katër ndihmës  ligjorë në Gjykatën e Lartë.

KPK ka marrë 34 vendime për përfundimin e procesit për 21 gjyqtarë, 11 prokurorë dhe 1 (ish-Kryeinspektori i KLD-së dhe 1 ish-Inspektori ILD-së si dhe dy vendime për pezullimin nga detyra të po dy prokurorëve. Në seancën e sotme parlamentare pritet miratimi i zgjatjes së afatit të vetting-ut. PD deklaroi votën pro. Kryetari Lulzim Basha:

Reforma në drejtësi ka patur ecejaket e saj. Brenda pak ditëve trekëndëshi i Bermudës, Edi Rama në krye, Berisha e Meta bënë gjithçka të largojnë ONM nga Shqipëria e vettingu të shkojë në drejtim të paditur. Ka një dhe vetëm një shans që Shqipëria të bëhet pjesë e Europës, që politikanët të shkojnë në burg dhe kriminelët mos jenë në parlament e bashki dhe kjo është një drejtësi që funksionon.

Sot nuk është drejtësia që duam, por do ishte akoma më keq nëse një proces i nisur me qëllim që të përfundonte me një drejtësi që nuk i mbron por i ndëshkon politikanët e korruptuar dhe krimin e organizuar, do mbetej në mes dhe po kështu do të ndërpritej integrimi europian i vendit.