Presidenti amerikan, Joe Biden, sot do të presë në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump-in, pas fitores së republikanit në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Takimi në Zyrën Ovale pritet të zhvillohet më 11:00, sipas orës lokale në Uashington (ora 17:00 në vendin tonë). Para takimit me Biden-in, Trump ka planifikuar të takojë drejtues republikanë në Kongresin Amerikan. Partia Republikane do të ketë kontrollin e Senatit e ka mundësi që të marrë edhe shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.
Biden e thirri Trump-in për ta uruar lidhur me fitoren dhe e ka ftuar në takim në Shtëpinë e Bardhë. Demokratët e cilësojnë Trump-in “kërcënim për demokracinë” por Biden u zotua se do të ketë transferim paqësor të pushtetit dhe do t’iu përmbahet protokolleve të zakonshme për këtë proces. Kjo nuk pati ndodhur pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 kur Trump refuzoi të pranonte humbjen dhe nuk e ftoi pasardhësin në Shtëpinë e Bardhë. Republikani nuk mori pjesë as në ceremoninë e inaugurimit të Biden-it.
Më herët u mësua se Donald Trump do të emërojë Elon Musk-un duke i dhënë më shumë ndikim njeriut më të pasur në botë, i cili dhuroi miliona dollarë për ta ndihmuar të fitonte zgjedhjet presidenciale amerikane. Musk dhe ish-kandidati republikan për president, Vivek Ramaswamy do të drejtojnë një departament të sapokrijuar për Efikasitetin e Qeverisë, entitet, që pritet të operojë jashtë ekzekutivit amerikan.
Trump sinjalizoi se rolet e Musk-ut dhe Ramaswamy-t mund të jenë joformale e nuk do të ketë nevojë për miratimin e Senatit për emërimin e tyre. Kjo do t’i mundësonte Musk-ut që të mbetet në krye të Teslës, X-it e SpaceX-it. Departamenti i ri do të punojë me Shtëpinë e Bardhë dhe Zyrën për Menaxhimin e Buxhetit. Puna e tij përfundon më 4 korrik 2026.
Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump po vepron me shpejtësi për të plotësuar postet në administratën e tij të sapolindur me zyrtarë republikanë, të cilët kanë qenë më besnikët politikisht ndaj tij gjatë katër viteve që ai nuk ishte në detyrë. Presidenti i zgjedhur Trump, sipas njoftimeve të ndryshme të mediave amerikane, synon të emërojë Ssenatorin e Floridas, Marco Rubio si sekretar të shtetit.
Dje në mbrëmje, ai njoftoi se guvernatorja e Dakotës së Jugut, Kristi Noem, do të jetë drejtuesja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Ndër të përzgjedhurit e tjerë për anëtarë të kabinetit qeveritar është edhe Pete Hegseth, i cili do të drejtojë Departamentin e Mbrojtjes. Hegseth është ish-ushtarak dhe ka drejtuar emisione në kanalin televiziv Fox News.
Rubio dhe Noem radhiteshin në listën e kandidatëve të mundshëm për zv.president disa muaj më parë. Më vonë, Trump përzgjodhi senatorin e Ohajos JD Vance.