Rajoni

Sot raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel!

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç ndodhen në Bruksel për raundin e ri të bisedimeve, në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje. Siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, sot pritet që raundi i ri të fillojë me takime dypalëshe të delegacioneve me të dërguarin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak. Nëse ka vullnet nga palët, mund të zhvillohet takimi i përbashkët trepalësh.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se “koreografia do të jetë e zakonshme, BE-ja gjithmonë synon të ketë takime trepalëshe, por kjo do të varet nga vullneti i palëve”. Në përballjen e fundit në shtator, Lajçak nuk arriti t’i bindë Bislimin e Petkoviçin të mbanin takimin pasi kishin mosmarrëveshje mbi temat që do të donin të shtjellonin.

Në lidhje me temat e takimeve në Bruksel, Stano u shpreh se ato kanë të bëjnë me nevojën për zbatimin e detyrimeve nga dialogu i deritashëm, përfshirë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, për të cilën Kosova dhe Serbia ranë dakord në fillim të vitit të kaluar.

Axhenda është siç ka qenë edhe në të kaluarën. Pra, nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të detyrimeve nga dialogu. Nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe nevoja që edhe Kosova edhe Serbia të bien dakord për progresin në dialog.

Deri tani, zakonisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, si dhe kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, por jo takime trepalëshe. Herën e fundit kur u mbajt një i tillë, ishte 2 korriku i këtij viti. Por pas takimit, palët dolën me qëndrime diametralisht të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime. Ato akuzonin njëra-tjetrën për “mungesë të gatishmërisë për dialog”.

Ditët e fundit, Lajçak ka patur konsultime me palët. Përveç pohimeve se po shqyrtohet rruga përpara në dialog, nga ana e BE-së që ndërmjetëson këtë proces të nisur më 2011-ën, nuk kanë dhënë hollësi se me cilat tema do të merren palët në takimet e radhës.

Në BE, por edhe në NATO, gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura. Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësimin.

Mirosllav Lajçak ka mandat deri në fund të muajit janar 2025. Ndërkaq, në BE presin të shohin se çfarë qëndrimi rreth dialogut do të ketë përfaqësuesja e re e lartë për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, pasi të marrë mandatin. Mandati i saj do të nisë kur të jetë gati i gjithë ekipi i ri i Komisionit Europian, pasi të konfirmohet nga Parlamenti Europian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pret dinamikë të re nga Komisioni Europian, sa i përket dialogut.