Sot mbahet dita e dytë e mbledhjes së Hetimorit të Shëndetësisë, ku pritet të dëshmojë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Mbetet të shihet nëse do të jetë apo pritet sërish shtyrje e mbledhjes nga debate e bllokime procedurale. Mbi 9 orë diskutime ditën e djeshme përfunduan me polemika dhe pa finalizim e dështoi dëshmia e Ilir Beqajt në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë. Me kërkesë të nënkryetarit socialist, Plarent Ndreca, dëshmia u shty për sot në orën 10:30 minuta. Debate të forta e akuza pati mes PD-së e PS-së.
Në Kuvend, ish-ministri i Shëndetësisë u rikthye me pranga në duar, dje rreth orës 10:30, i shoqëruar nga policë. Për të dëshmuar në komisionin hetimor për dy koncesionet e dhëna në kohën kur ishte ministër i Shëndetësisë, Check-Up/in e Sterilizimin, Beqaj la mjediset e burgut ku qëndron prej 4 muajsh, i arrestuar për abuzim me fondet e Bashkimit Europian në SASPAC, agjenci e drejtuar prej tij.
I përgatitur me dy dosje voluminoze, Beqaj u ul para komisionit por kryetarja demokrate Albana Vokshi i refuzoi kërkesën për të prezantuar në Power Point materialet e përgatitura duke kërkuar dëshmi me video e prova.
Ilir Beqaj: Unë dua të informoj njerëzit se çfarë ka ndodhur. Nuk ka përkufizim ligjor kush është forma e deklaratës..
Albana Vokshi: Po kërkoni t’i jepni të drejtat më shumë se dëshmitarët e tjerë. Nuk është më i mirë se Ilir Rrapaj, Ilir Beqaj. Ilir për Ilir. Deklaratë e vetëm deklaratë e përcakton ligji. Nëse nuk doni, e nis me pyetje.
Beqaj: Jam akuzuar si hajdut nga ju… Nuk jam i shkreti. Boll me epitete ndaj meje! Ta kam thënë më 2016-ën se hallin tënd s’ta zgjidh unë.
Teksa disa herë i referohej Beqajt me fjalë “i shkreti” e “qyqari”, Vokshi u shpreh:
I zgjidh vetë hallet që kam. Hallet e tua nuk di si t’i zgjidh.
Në debatin dhe replikat mes Vokshit e Beqajt, u përfshinë dhe të tjerë deputetë socialistë, të cilët vunë në dukje se një procedurë e tillë është e pranueshme edhe në gjykatë e nuk ka pse të mos pranohet në komision.
Albana Vokshi: E kuptoj sikletin. Nuk e nuk e shpëton dot. Doni të bëni konferencë shkencore…
Plarent Ndreca: E ke kthyer këtë komision në akuzator. Diskursi yt është helmues.
Debatet u ashpërsuan deri në ofendime për një çështje, e cila dje nuk mori zgjidhje.