Aktualitet Politikë

“Sot, rekursi në Gjykatën e Lartë për vulën”, Basha flet për paktin që miratojnë PS-PD në premten në Kuvend!

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat bëri të ditur se ditën e sotme është dërguar në Gjykatën e Lartë rekursi për vulën e PD, që sipas tij është një vendim absurd.

Ai foli edhe për një pakt mes kreut të PD, Sali Berishës dhe kryeministrit Edi Ramës, që sipas tij ka të bëjë me mbylljen e listave që mos ketë grupe parlamentare, marrëveshje që sipas tij do të finalizohet ditën e fundit të seancës plenare, këtë javë.

Basha: “Vendimin absurd i 11 qershorit përbën bazën e rekursit që sot Partia Demokratike Euroatlantike dorëzon në Gjykatën e Lartë, sikundër edhe bazën e akteve të tjera në raport me kontrollin gjyqësor.

Tani po avancojmë me fazën e tretë të këtij pazari që parashikohet të marrë formë të enjten ose të premten e kësaj jave, në seancën e fundit para gushtit, që është pakti i Ramës dhe Berishës për të rimbyllur listat që hapi Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj.

Prej vitit 2021 kemi kërkuar hapjen e plotë të listave, por nuk ndodhi. U shpërdorua kërkesa jonë, për të bërë një ‘gjasmëhapje’ që ruante një të tretën e listës si monopol të kryetarëve të partive dhe vendosi një prag prej 10 mijë votash për pjesën tjetër. Gjykata Kushtetuese e ka quajtur antikushtetuese dhe e ka rrëzuar.

Dyshja e tangos ka mbyllur pazarin që ditën e premte, me sebete e justifikime të neveritshme të bashkojnë votat për të kaluar jashtë vëmendjes së publikut, këtë atentat kushtetues, që i shërben Ramës dhe Berishës. Sot bashkojnë votat për të mbyllur listat dhe për t’ju kontrolluar ju. Refuzoni këtë pazar, nuk do ia falin shqiptarët.”

Basha u përgjigj në lidhje me akuzat e Ilir Metës, i cili e bëri përgjegjës për ngjarjen e 21 Janarit. Në atë kohë Basha mbante postin e Ministrit të Brendshëm, ku Meta thotë se ishte paralajmëruar zyrtarisht për sulmin, por nuk ka marrë asnjë masë.

“Po të merremi me mashtrimet e tij duhet që dita të ketë 48 orë, përgjigjen e ka marrë të plotë me shkrim dje”, tha ai.