Në ditën e dytë dhe të fundit të seancës maratonë që dje zgjati mbi 12 orë, sot Kuvendi do të vijojë diskutimet para miratimit të projektbuxhetit të vitit 2025. Mes palëve pati debate mbi prioritetet që mbështet drafti. Sipas qeverisë, materializon plotësisht objektivat kryesore të politikës fiskale, përmes një balance primare pozitive, reduktimit të borxhit publik.
Për 2025-ën, parashikojmë rritje ekonomike prej 3.9%, deklaroi ministri i Financave, Petrit Malaj.
Opozita ngriti pikëpyetje nëse pas 12 buxheteve socialiste janë apo jo më mirë qytetarët shqiptarë. Sipas deputetes demokrate, Jorida Tabaku edhe pse flitet për rritje ekonomike, të vetmit që nuk e ndiejnë janë shqiptarët. Ndër të tjera, Tabaku vuri në dukje se në buxhet nuk ka asnjë moment ku parashikohet të ulet tatimi i punës.
A po e ndiejnë shqiptarët këtë rritje ekonomike? A përkthehet në ekonomi në sektorët që luajnë rol më të rëndësishëm? Përgjigjja është jo. Shqipëria ka sot një prodhim të brendshëm bruto siç u tha, 2.5 trilion lekë, 25 miliardë euro dhe kontributi i sektorëve të ekonomisë në këtë rritje është vetëm nga një, ai i ndërtimit. Sektori i bujqësisë është 18% e PBB-së, nga viti 2021 është me rënie. Industria është po ashtu në rënie, 12.4%, u shpreh Jorida Tabaku.
Në nisje të punimeve të seancës së djeshme, kryeministri Edi Rama paraqiti projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, ku dhe njoftoi se bonusi për pensionistët me pension deri në 20 mijë lekë do të trefishohet duke arritur në 150 euro ndërsa për ata që kanë një pension mujor mbi 20 mijë lekë do të dyfishohet duke shkuar në masën 100 euro. Rama njoftoi edhe çeljen e një fondi pranë Bankës së Shqipërisë që do të përdoret për bonusin e pranverës së pensionistëve.
Falë rritjes së qëndrueshme të ekonomisë, krijojmë një fond pranë Bankës së Shqipërisë qysh në dhjetor për një bonus të dytë për pensionistët, Bonusi i Ri i Pranverës.