Viti i Ri është festa e urimeve dhe dëshirave më të mira, shoqërimit, (pavarësisht ndalesave të pandemisë) argëtimit, ngritjes së dollive, tryezave të begatshme e shkëmbimit të dhuratave.
Sot përgatitemi të ndahemi me vitin 2021 e le të merremi me pak histori, referuar ekspertëve. Studiuesit mbeten të ndarë se kush i nisi kremtimet: kinezët apo romakët? Po kjo nuk ka shumë rëndësi, të rëndësishme janë kremtimet, shpirti i festës, simboli i rifillimit, plot shpresa të mira për të ardhmen.
Teksa na bashkon besimi në një fillim të ri e më të begatshëm, nuk i gëzohemi në të njëjtën datë, çështje kalendarësh. Disa popuj aplikojnë atë Lunar (llogaritja sipas rrotullimit të Hënës), të tjerë Solarin (llogaritje sipas rrotullimit të Diellit). Në krahasim me kalendarin solar, i cili është fiks dhe i pandryshueshëm me 365 ditë, ata popuj që kalendarin e tyre e përcaktojnë sipas ciklit Lunar (të hënës) ardhjen e Vitit të Ri nuk e kremtojnë në ditën e njëjtë, por në muajin shkurt të vitit tonë kalendarik.
Vitin e Ri Lunar, si festë tradicionale popullore e festojnë në Kinë, Indi, Japoni, Vietnam, si dhe në disa shtete të tjera të Lindjes.
Për kinezët, Viti i Ri Lunar është festa e pranverës. Në Japoni kremtohet me tryeza të begatshme plot me specialitete të rralla tradicionale e në mesnatë dëgjohen 108 të rëna të kambanave në tempujt budistë. Simbolika nënkupton largimin e 108 mëkateve të mundshme të njeriut në jetë.
Për hebrenjtë, tryeza e Vitit të Ri është e shtruar vetëm me gjëra të ëmbla. Në shumë vende dhe shtete të botës është tradita që Viti i Ri të kremtohet në mënyrë kolektive. Nuk janë të pakta qytete të ndryshme të metropoleve të mëdha botërore, ku banorët e tyre, para çastit të ndërrimit të mot moteve masivisht dalin në qendër të qytetit.
Kthehemi në kohët tona:
Dy vitet e fundit, pandemia koronavirus i ka ndryshuar zakonet e festimeve. Nga disa kryeqendra europiane vijnë lajmet për anulime të festimeve në shesh, se tani është Omicron ndërsa në Shqipëri nuk ka prishje të planeve, këtë vit festojmë pa orë policore dhe me ritet e ndryshme, disa i kemi tonat, të tjera të huazuara (që i dimë ose jo).
Tradita kubane për natën e ndërrimit të viteve praktikon ngrënien e 12 sardeleve, të një lloji peshku. Besohet se kjo ndikon në rritjen e fatit dhe lumturisë gjatë 12 muajve të vitit të ri pasues.
Në Filipine është tejet e rëndësishme që në tavolinën festive familjare gjatë pritjes së Vitit të Ri , të sigurohet sa më shumëllojshmëri ushqimesh. Me këtë akt besohet se viti që vjen do të jetë aq i pasur dhe i begatshëm, sa është e pasur vetë sofra festive e asaj mbrëmjeje.
Njeriu i parë, i cili do t’u hyjë në shtëpi pasmesnate, besohet se gjatë gjithë vitit pasues do të jetë një person fatsjellës për ju dhe besnikërisht mund të mbështeteni në të.
Preferohet që ndonjë punë apo veprim që ju ka mbetur në gjysmë ta përfundoni pikërisht në ditën e ndërrimit të viteve. Ky veprim do t’ju sjellë shumë fat dhe punë të mbarë në vitin pasues.
Nëse dëshironi që viti i ardhshëm të jetë i lumtur dhe me fat, në asnjë mënyrë nuk duhet ta prisni me borxhe. Tentoni që para ardhjes së Vitit të Ri t’i paguani të gjitha borxhet që keni, sepse kështu viti që vjen do t’ju sjellë fillim të mbarë në të gjitha fushat e jetës.
Të gjithë portofolët tuaj këtë mbrëmje mos i lini të zbrazëta, por i mbushni me monedha, për më shumë begati e pasuri.
Në traditën e popujve gati të të gjithë botës fëmijët e lindur më 1 janar, konsiderohen si fëmijët më fatlumë në botë.
Puthja në mesnatë nuk është vetëm shprehje e momentit euforik të kremtimit, por ajo shpreh edhe konfirmimin e bekimit të miqësisë dhe të afërsisë me atë person, edhe gjatë 12 muajve të vitit që po na vjen.