Politikë

Sot përballja e parë e Bashës me kritikët, pas humbjes së zgjedhjeve

Partia Demokratike do të mbledhë sot pasdite Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar. Fillimisht në orën 17.00 do të zhvillohet mbledhja e Kryesisë me rend dite: diskutime dhe vendimarrje sipas statutit për zgjedhjet e fundit parlamentaret. Më pas në orën 19.00 me të njejtin rend dite do të zhvillohet mbledhja e këshillit kombëtar.

Në mbledhjen e parë të kryesisë së PD do të analizohet rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit në çdo qark. Në këtë takim pritet që kryetari i PD të hedhë në diskutim dhe propozim shpalljen e zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike.

Në takimin e së dielës me Këshillin Kombëtar pritet të ketë debate, pasi do të jetë edhe përballja e parë e Bashës me kritikët e tij, ish-Presidentin Bujar Nishani dhe anëtarin e Kryesisë, Fatbardh Kadilli.

Kujtojmë se që pas humbjes së zgjedhjeve nga ana e Partisë Demokratike, drejtues të rëndësishëm të strukturave të kësaj force politike, kanë kërkuar me ngulm largimin e Bashës nga drejtimi i partisë.

I pari që e kërkoi dorëheqjen e Bashës ishte Kadilli, më pas ish-presidenti Nishani, si dhe Arben Ristani.

Kjo kërkesë u përqafua edhe nga një numër shumë i madh demokratësh të tjerë, ku së fundmi është formuar edhe “Grupimi për PD-në”.