Sport

Sot nisin Lojërat Olimpike “Paris 2024″/Premtohet ceremoni magjike!

Parisi është gati që shkëlqimin e Olimpiadës t’ia prezantojë botës, në ceremoninë e hapjes në lumin Sena, diçka plotësisht e re. Hera e parë që Lojërat Olimpike nuk do të nisin në stadium. 85 anije pritet të parakalojnë me rreth 7 mijë atletë, në një paradë gjashtë kilometra të gjatë në Senë, në zemrën e kryeqytetit francez.

Ceremonia do të nisë më 19:30 e pritet të zgjasë rreth 3 orë e 45 minuta. Organizatorët kanë premtuar ceremoni unike duke shfrytëzuar monumentet historike, si dhe qiellin, ujin e “nuk do të jetë asnjë urë të pashfrytëzuar për muzikë, kërcime e të tjera performanca”. Afro 80 ekranë gjigantë në Paris do të transmetojnë ceremoninë, ku priten edhe balerinë që do të performojnë në çatitë e ndërtesave pranë Senës.

Në këtë ceremoni do të festohet për Parisin, Francën, Lojërat Olimpike, si dhe do të ketë paradë të atletëve, performanca artistike e të tjera pika sipas protokollit, siç u shpreh Thomas Jolly, Drejtor Artistik i ceremonisë.

Detajet se kush do të ndezë flakën olimpike për të shënuar nisjen e Lojërave dhe cilët artistë marrin pjesë, po mbahen sekret. Lady Gaga e Celine Dion u panë në Paris, duke nxitur zëra se mund të jenë pjesë e ceremonisë.

Mediat vendase raportojnë se ylli Aya Nakamura, këngëtarja më e njohur franceze në botë do të jetë pjesë e ceremonisë. Kur u mësua një gjë e tillë, Nakamura u kthye në shënjestër të fyerjeve raciste online. Ajo këndon në gjuhën frënge, si dhe ka një stil të ndikuar nga R’n’B e ritmet afrikane.

Por, misteri i madh lidhet me kushtet atmosferike. Parashikimet aktuale janë për mot me vranësira, ndonëse organizatorët presin perëndimin e artë të diellit, për ta bërë ceremoninë edhe më magjike.

Kush do të marrë pjesë në ceremoni?

Në ceremoni do të jenë mbi 80 udhëheqës shtetërorë e më shumë se 300 mijë spektatorë. Komiteti i Lojërave Olimpike raportoi se rreth 222 mijë persona i siguruan vendet falas, ndërsa 104 mijë blenë bileta. U bë e ditur se anijet që do të transportojnë atletët janë të pajisura me kamera, për t’iu mundësuar spektatorëve që nga larg të mund të shohin gjithçka, sikur të ishin në brendësi të mjeteve lundruese.