Bota

Sot nis punimet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së/Ukraina në fokus!

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, sot nis punimet, ndërsa bota përballet me kriza të shumta, duke filluar nga lufta ruse në Ukrainë. Pas dy viteve kufizimesh për shkak të pandemisë koronavirus dhe takimeve online, OKB-ja u kërkoi liderëve botërorë të marrin pjesë fizikisht në organizim. Por, përjashtim bën presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ndërkohë, ndarja nga jeta e Mbretëreshës së Anglisë, Elizabeta e Dytë, e ndryshoi axhendën. Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili ishte në Londër për të marrë pjesë në funeral dhe që sipas traditës flet në ditën e parë të samitit, kësaj here do të marrë pjesë nesër. Në ditën e parë pritet të mbajnë fjalime presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, liderë të dy ekonomive më të mëdha në Bashkimin Europian.

Këtë herë, Ukraina do të jetë temë kryesore, duke u vendosur në fokus të axhendës. Kjo u konfirmua nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, i pranishëm në Nju Jork. Ka shumë probleme tjera, e dimë. Por, lufta në Ukrainë ka dërguar valë tronditjeje në të gjithë botën.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u bëri thirrje liderëve të mos harrojnë prioritetet e tjera, të tilla si arsimimi, një nga temat që do të diskutohen.

Edukimi është në krizë të thellë. Në vend që të rrisë mundësitë, edukimi është duke u bërë arsye për ndarje të mëdha.

Pandemia koronavirus solli ndikim shkatërrues në procesin e të mësuarit, pasi nxënësit e varfër nuk patën akses në teknologjinë e avancuar.
Në një raport të publikuar më herët gjatë këtij muaji, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, nënvizoi se “pandemia e ka kthyer pas me 5 vjet përparimin njerëzor”.

Më 11 mars të vitit 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli koronavirusin pandemi. Më shumë se 6.5 milion njerëz kanë gjetur vdekur prej shpërthimit të pandemisë në të gjithë botën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës regjistruan numrin më të madh të viktimave. Më pas vijnë India e Brazili.