Aktualitet Art & Kulturë

Sot nis Panairi i Librit 2024: Të lexosh do të thotë të jetosh, të zbulosh, të rritesh!

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit njofton rikthimin e Panairit të 27-të të Librit, një prej ngjarjeve madhore të librit në Shqipëri. Ashtu si edhe në edicionet e mëparshme të viteve të kaluara, panairi që nis sot do të zhvillohet në hapësirat e Pallatit të Kongreseve në kryeqytet. Motoja e këtij viti është “Të lexosh do të thotë: të jetosh, të zbulosh, të rritesh”.

Me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, si dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, kjo festë e librit që çelet këtë të mërkurë do të vijojë deri ditën e diel, më 17 nëntor, për t’iu dhënë mundësi lexuesve që të njihen me plot botime të reja e tituj nga më të shumëllojshmit.

Edicioni i 27-të i panairit përveç titujve të rinj për lexuesit sjell edhe takime me autorë e përkthyes, tryeza diskutimi mbi përkthimin, workshop-e, seminare, e jo vetëm. Pjesë e aktiviteteve të panairit do të jetë edhe “Sofaja e Librit”, që mirëpret shkrimtarë të ndryshëm. Në fund, aktiviteti do të finalizohet me ndarjen e çmimeve të ndryshme letrare duke vlerësuar më të mirët e vitit në fushën e letërsisë për të rritur e fëmijë po ashtu.