Politika dhe aktualiteti, të para ndryshe. Shkundja sarkastike e realitetit politik dhe social që jetojmë me një prej figurave më të pëlqyera të humorit shqiptare si edhe një prej personazheve më të dashura të televizionit. Pse Shqipëria është kjo që është, pse shqiptarët janë siç janë, një vështrim plot humor mbi jetën që bëjmë që do t’ju sjellë gjëndje të mirë shpirtërore përpara se të mbyllni ditën tuaj.
I ftuar në pjesën e dytë të emisionit “Ndryshe” me Salsano Rrapi, Adi Pojana dhe Visjan Ukcenaj ka qenë regjisori, skenaristi, karikaturisti dhe aktori i mirënjohur shqiptar Bujar Kapexhiu. Deri në vitin 1985 xhiroi rreth 20 filma vizatimorë në shumicën e të cilëve është skenarist ose bashkëskenarist, regjisor dhe piktor. Mes tyre spikat edhe “Pipiruku”, personazhi i dashur për fëmijët i ndërtuar prej tij. Pas vitit ’85 iu përkushtua zhanrit të kinokomedisë duke u shquar për individualitetin e spikatur. Në një kohë mjaft të shkurtër xhiroi katër filma artistikë : “Dy herë mat”, “Tela për violinë”, “Stolat në park” dhe “Edhe ashtu, edhe kështu”.
Sipas tij, kush art lulëzon sot në Shqipëri?
Sot lulëzon arti i humorit në politikë. Domethënë janë dy kontraste kur shkon në parlament për shembull. Bëjnë edhe humor. Bëjnë edhe dramë. Bëjnë edhe tragjedi. Miserabël. Pa arsim përkatës. Pa talent po e po, por edhe cirkovolucionet e tyre në tru janë drejt sheshimit se ato rrudhat e trurit mbajnë dituri.
Thojnë që artisti punon deri në fund të jetës së tyre. Qëndron kjo edhe për të?
Vazhdoj edhe madje pa shkëputje nga puna. Kryesisht unë në këtë kohë merrem me artin individual. Jo kolektiv, sepse kolektivi ka marrë fund. Shkruaj skenare filmash, por nuk xhiroj filma se nuk ka filma. Shkruaj dramë, komedi zakonisht, por nuk ka teatër ku ta vendosim. Kryesisht merrem me karikaturën, por karikatura dështoi se një gazetë që ishte që në cover-in kishte karikaturë, tanimë s’ka gazetë.