Sot Amerika voton dhe duket se gjithë bota po pret me kërshëri emrin e fituesit që do të jetë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Votimet mbyllen sot në mbrëmje, por gjasat janë që ne nuk mund të dimë se kush nga kandidatët, Donald Trump apo Kamala Harris ka fituar, edhe pas disa ditësh zgjedhje. Gara në zgjedhjet elektorale në SHBA është shumë e ngushtë. Të dy kandidatët po bëjnë fushatë për çdo votë dhe kanë vendosur që të zhvillojnë aktivitete në shtetet më të rëndësishme që pritet të vendosin fatin e zgjedhjeve. Donald Trump ka nisur të pretendojë se demokratët po përpiqen të vjedhin zgjedhjet. Nga ana tjetër u tha mbështetësve të vet në një miting në Xhorxhia të dielën se është drejt rrugës për të fituar. Ndërsa Kamala Harris, e cila shpesh ka qenë shumë kritike me Trump, ka ndalur së përmenduri emrin e tij pasi thotë se do ta përmbyllë fushatën me nota pozitive.
Beteja e ashpër dhe agresive për Shtëpinë e Bardhë, me dy kandidatët që kanë dhënë një pikturë të zezë për atë që mund t’i ndodhë Amerikës nëse fiton kundërshtari, do të përfundojë me dy mitingje që do të mbahen në shtetin më të madh të lëkundur (pra që mund të ndikojë në fatin e zgjedhjeve). Bëhet fjalë për Pensilvaninë. Ky shtet është “çmimi i madh” mes shteteve të lëkundura me 19 vota elektorale. Nëse Kamala Harris mund të fitojë Pensilvaninë plus një nga shtetet mes Uiskonsin dhe Miçiganit, detyron Trump që të fitojë pastër në të gjitha shtetet e tjera nëse do të marrë presidencën. Me Pensilvaninë, ajo mund t’i kalojë 270 votat elektorale (të nevojshme për të fituar garën). Tanimë 75 milionë qytetarë kanë votuar që do të thotë se gara po zhvillohet për ata që nuk kanë vendosur ende. Por kjo shifër e votuesve deri në këtë moment është shumë e lartë pasi është sa gjysma e atyre që votuan në total në zgjedhjet e vitit 2020.
Top Albania Radio, sonte në orën 21:00, do të përcjellë të gjitha detajet, hap pas hapi, në programin: “Nata e Zgjedhjeve në SHBA”.
Përballje e ashpër midis Kamala Harris dhe Donald Trump! Me analiza të thelluara, rezultate të exit polleve, e intervista ekskluzive direkt nga SHBA!
Zgjedhjet Presidenciale të SHBA, sonte në 21:00. Live – për çdo moment vendimtar! Me Blendi Salaj!