Aktualitet

Sot, 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës!

Si sot 80 vite më parë, Tirana u çlirua nga pushtuesit nazifashistë, në një moment historik dhe që konsiderohet si operacioni i madh, nga më të rëndësishmit, nga më të ashprit e më të suksesshmit që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH-së kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.

Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua Korpomatës së i Sulmuese. Shtabi i Korparmatës hartoi një plan operacioni të hollësishëm në bazë të planit operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme.

Plani parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm me qëllim mbylljen dhe goditjen e garnizonit gjerman brenda Tiranës.

Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11 – 17 nëntor).

Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra (29, 10, – 17, 11) brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij.

Më 17 nëntor, Tirana u çlirua. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë.  Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e betejës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH-së.

Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet e rrugët e tij.

Në mëngjesin e 17 nëntorit të vitit 1944, pas 19 ditësh e netësh luftime të ashpra e të pandërprera, kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, u çlirua. Operacioni mësymës për çlirimin e Tiranës u përgatit dhe u zhvillua në kuadrin e mësymjes së përgjithshme të UNÇSH-së, për çlirimin e plotë të Shqipërisë. Ai ishte vijimi dhe kulmi i mësymjes së përgjithshme.

Çlirimi i kryeqytetit pati rëndësi të madhe politike e ushtarake. Ai kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, i shkaktoi humbje të mëdha e vonoi tërheqjen e forcave gjermane. Njësitë e Korparmatës I, realizuan me sukses detyrën që u ngarkoi Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH. Lufta për çlirimin e Tiranës ishte operacioni më i madh i shkallës operativo-strategjike i zhvilluar nga UNÇSH-ja për çlirimin e qyteteve.

Armiku nuk zbatoi dot planin e tij për shkatërrimin e Tiranës. Pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e popullit, nga të moshuarit e deri te fëmijët, ishte e ma­dhe, në forma e mënyra të ndryshme. Për realizimin e drejtimit të operacio­nit, përdorim të gjerë gjeti ndërlidhja me radio, si dhe mënyrat e tjera, si takimet me shtabet vartëse, me lajmëtarë, etj.